Mercenarët apatridë të medias
Në median shqiptare ekzistojnë ca punëtorë shkrimi që gjurmojnë lajmet nga bota për të gjetur lajme që nxinë Shqipërinë dhe Shqiptarët për t’i amplifikuar si teza që gjërat po shkojnë jo mirë. Këto personazhe të dorës së dytë janë të shtyrë kryesisht prej frustrimit të brendshëm që shfaqet në delegjitimin e tokës dhe banorëve të komunitetit ku jetojmë. Dhe së fundmi kanë parë një film aksion pa pagesë të Hollivudit me titull: “The Expendables 2” (Mercenarët 2). Sigurisht duke e parë në mënyrë pirate në sajte jo fort ligjore.
Megjithatë në një fragment filmi ata (Sylvester Stallone, Arnold Schwarzenegger, Bruce Ëillis, Chuck Norris, Jean-Claude Van Damme) “vijnë” të gjithë në Shqipëri në kërkim të një “thesari”. Personazhi Roos (Stallone) dhe grupi i tij i mercenarëve zbarkojnë në Shqipëri për të tërhequr dhe për të çuar në një vend të sigurt, një hartë të çmuar - (që tregon vendndodhjen e një bunkeri ku rusët kanë fshehur një sasi imagjinare plutoniumi) - që gjendet ende brenda asaj që ka mbetur nga një aeroplan i rrëzuar në malet shqiptare. Një prej mercenarëve vritet gjatë përpjekjeve që grupi bën me rivalët e tyre në tokën shqiptare dhe kur janë duke e varrosur mikun e tyre në majën e një kodre në Shqipëri, ata i vënë sipër vetëm disa gurë duke shkëmbyer batuta që e tregojnë Shqipërinë si vend rumpallë, si “kjo është Shqipëria, këta nuk kanë regjistrime të rregullta as për vdekjet”, etj.
Kaq ka mjaftuar për të bërë tituj gazetash, “Shqipëria sipas Hollivudit: Këta e kanë çorbë edhe këtë punën e të vdekurve”. Në çdo vend normal filmi do të shikohej në kinema dhe padyshim paragjykimet apo tipizimet e një vend do të mbeteshin pjesë e një skenari të dobët të një film nostalgjik që mbledh bashkë figurat e mitologjisë së çdo fëmije, Van Dami, Cak Norrsi, Roki, Arnoldi, siç i quajnë shqiptarët aktorët e filmave aksion të Hollivudit. Sidoqoftë ajo që bie në sy është mungesa e kritikës kinematografike dhe zhvillimi i një kritike apatride në kufijtë e antishqiptarizimit. Logjika e lajmit sensacional që bën bujë si efekt e një mainstreami “kulture dominuese” në të cilën gëlon mediokriteti intelektual është pasojë e drejtpërdrejtë e pasigurisë identitare. Meqenëse hynë në temën e filmit dhe të kritikës duhet thënë se filmi “Mercenarët 2” me një kast aktorësh të dorës së parë të zhanrit të aksionit është induktimi i një operacioni nostalgjie tek shikuesit. Nuk është një film që mund ta quash “klasik”, por më shumë “barok”, artificial, i kërkuar më sajime, i ekzagjeruar, ndonëse ironik duke parë rrudhat e këtyre aktorëve tashmë të moshuar. Emblemë e një vokacioni për të citur filma të tjerë brenda një filmi, ky film është vetëcelebrim i zhanrit të aksionit të zhvilluar në fund viteve 80, që në Shqipëri hyri në fillimin e vitit 1993, në imagjinatën tonë është koloneli Bredok i personifikuar nga aktori i mirënjohur Chuck Norris, apo Arnoldi me filmat e “Terminator”, ndërsa aktori Silvester Stallone në rolin e Rambos apo Rokit. Padyshim filmi ka një logjikë të grumbullimit eksponenciale: më shumë personazhe, më shumë aksion, më shumë gjak, më shumë shpërthime, më shumë hapje zjarri në një kreshendo fundore me një shpërthim me dinamit që i sheh heronjtë të bashkuar në shenjën e shkatërrimit të një aeroporti.