E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërdhijnë nxënësit

Mosfunksionimi i Termokosit, përveç të tjerave, ka çrregulluar procesin mësimor në Prishtinë. “Viktima” e parë e pushimit të dhunshëm është shkolla “Xhemajl Mustafa”. Shkollat tjera kanë përgjysmuar oraret. Komuna mendon t’i japë Termokosit edhe 300 mijë euro. Me këto para, ngrohje do të ketë vetëm një javë Nga Nexhmije Ahmeti më 25 janar 2011 në ora 11:00

Aulona i fërkonte duart nga të ftohtit. Ajo së bashku me një shoqe të klasës po prisnin para derës së shkollës “Xhemajl Mustafa”.

Të hënën, Aulona Sylejmani dhe shumë fëmijë tjerë të kësaj shkolle në Prishtinë ktheheshin në shtëpi pa mbajtur mësim. Arsyeja e vetme ishte se në shkollë mungon ngrohja qendrore. Në fakt kësaj shkolle, sikurse gjithë kryeqytetit, ka kohë që i mungon ngrohja.

“Që tri javë nuk kemi nxemje në shkollë. Klasat janë të ftohta e gjithë kemi ndejtë me jakne veshur”, thotë Aulona, nxënëse e klasës së katërt.

Ajo dhe nxënësit e tjerë kanë shkuar në pushim të detyruar për një afat të pacaktuar. Drejtori i shkollës, Qazim Çeta, tha se mësim nuk do të ketë përderisa nuk ka ngrohje.

Të ftohtit në shkollë ndihej edhe nga të mëdhenjtë. Mësuesit dhe punëtorët e shkollës dridheshin nga të ftohtit të hënën. Duke u bazuar nga kjo në ditën e parë të javës mësimi në këtë shkollë nuk u zhvillua fare. Ky vendim është marrë me iniciativë të prindërve, të cilët nuk duan që fëmijëve të tyre t’u rrezikohet shëndeti në këtë kohë kur temperaturat janë nën zero. Vendimi për bojkot do të zgjasë përderisa në shkollë të lëshohet ngrohja. “Unë nuk do ta lejoj fëmijën tim që në këto kushte të vijë në shkollë”, thotë Frosina Morina, anëtare e këshillit të prindërve të shkollës “Xhemajl Mustafa”. “Nuk duam ta rrezikojmë shëndetin e tyre”, thotë Morina. Këshilli i prindërve të shkollës ka sqaruar edhe nëpërmjet një komunikate për media se vendimi për ta bojkotuar mësimin është marrë pasi që është konsideruar se aktualisht nuk ka kushte minimale për të mbajtur mësimin.

Por, përkundër këtij vendimi, kishte shumë nga prindërit të ndërrimit të pasdites që nuk e kishin ditur se nuk do mbahej mësimi. Selvinaze Beka kishte sjellë djalin e saj në shkollë pa e ditur se mësimi nuk do mbahej. “Jo, nuk e kam ditë, por pasi erdhëm, deshëm që të konsultohemi me mësuesit në mënyrë që ta dimë se çfarë detyrash duhet të marrin gjatë këtij pushimi të dhunshëm”, thotë Selvinazja për Express.

Vendimin për ndërprerjen e mësimit për shkak të mungesës së ngrohjes e arsyeton drejtori Qazim Çeta. Ai tha se në këso kushtesh vështirë se mësimi mund të mbahet normalisht. Kjo ndërprerje e mësimit në shkollën “Xhemajl Mustafa”, sipas drejtorit Çeta, do të vazhdojë përderisa mungon ngrohja. Ai sqaron se për këtë gjendje kanë qenë të informuar të gjithë. “Ata na kanë premtuar se do të gjendet një zgjidhje, por deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim”, tha drejtori Çeta. Në fakt komuna javën e kaluar ka shpallur tender për instalimin e ngrohjeve në shkolla, si zgjidhje alternative, në rastet kur nuk funksionon “Termokosi”.

Por, derisa të kryhen këto procedura, shkolla Xhemajl Mustafa dhe pesë shkolla tjera në kryeqytet nuk e kanë të garantuar ngrohjen ditëve të ardhshme. Megjithatë, të hënën shkollat tjera në Prishtinë kanë mbajtur mësim, por me orar të përgjysmuar. Një kërkesë të tillë e kanë bërë komunarët të hënën pasi që janë njoftuar për krizën me ngrohje nëpër shkolla. Menjëherë pasi që mësimi u ndërpre, komuna ka reaguar duke propozuar që të ndahen 300 mijë euro për ngrohtoren e qytetit. “Duke e marrë parasysh gjendjen pa shtegdalje të ‘Termokosit’ dhe duke parë që po rrezikohet seriozisht procesi edukativo-arsimor në gjashtë shkolla të kryeqytetit, drejtuesit komunalë të Prishtinës kanë vendosur që t’i propozojnë Kuvendit të Komunës së Prishtinës që në seancën që do të mbahet të enjten ta miratojë shumën prej 300 mijë eurosh, të cilat do t’i dedikohen kësaj ngrohtoreje”, thuhet në një komunikatë për media të Komunës së Prishtinës. Me gjithë shumën e propozuar për ndihmë “Termokosit”, zyrtarët e komunës nuk e dinë saktë sa do të ketë ngrohje të sigurt, derisa të përfundojnë procedurat e tenderimit të instalimit të ngrohjes alternative nëpër shkolla.

Zëdhënësi i komunës, Muhamet Gashi, tha të hënën për Express se mjetet që komuna do t’i japë për “Termokosin” janë të dedikuara për institucionet më rëndësi, megjithatë ngrohtorja nuk ka mundësi teknike që të lëshojë ngrohjen vetëm për shkollat.

Zëdhënësja Zana Efendija tha se pasi që komuna ka vendosur të ndajë mjetet për ta ndihmuar “Termokosin”, zyrtarët e ngrohtores kanë kontaktuar me kontraktuesin në mënyrë që lënda djegëse të sigurohet qysh të martën, para se paratë e komunës të derdhen në xhirollogarinë e ngrohtores. “Ne mendojmë që ngrohja të lëshohet nga dita e mërkurë”, tha Efendia për Express. Me këto të holla që Komuna e Prishtinës ka ndihmuar “Termokosin, ngrohje në Prishtinë do të ketë vetëm shtatë-tetë ditë. Temperaturat ditëve të fundit janë ulur shumë dhe të ftohtit ka mbuluar gjithçka.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›