Veteranët e UÇK-së dorëzojnë peticionin kundër Martyt

Një delegacion i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së) po qëndron në Strasbourg të Francës, ku po diskutohet raporti i Dick Martyt për Kosovën.
Delegacioni i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, i kryesuar nga Muharrem Xhemajli, është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Evropës, me ç’rast i kanë dorëzuar atij peticionin me nënshkrimet e mbi 230 mijë qytetarëve shqiptarë, të cilët e kundërshtojnë raportin e Martyt.
Delegacioni ka zhvilluar edhe takime me grupe të ndryshme deputetësh, nga të cilët është kërkuar kundërshtimi i raportit të Martyt.
Delegacioni do të marrë pjesë edhe në protestën e bashkatdhetarëve shqiptarë, që do të fillojë në ora 12, para ndërtesës së KE-së.