Kërkojnë reciprocitet
Kosova ka edhe një arsye pse duhet të aplikojë masa reciprociteti me Serbinë e Bosnjën. Sivjet e udhëheq CEFTA-në dhe i ka “frenjtë” në dorë sa i përket kësaj marrëveshjeje për tregti të lirë. Vetë do t’i thirr mbledhjet dhe do të propozojë agjendën e takimeve. Kjo përparësi, për përfaqësuesit e bizneseve duhet të shfrytëzohet nga shteti më i ri. Ata kërkojnë të aplikohen masa të reciprocitetit sa me shpejt që është e mundur. Që nga shpallja e pavarësisë, Bosnja e Serbia, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, nuk i pranojnë produktet “Made in Kosova”. Ato po gjejnë behane të vula e Republikës se Kosovës. Megjithatë, me ndërrimin e roleve, edhe situata për Kosovën duket të jetë më e favorshme.
Përfaqësues të bizneseve thonë se Kosova duhet ta shfrytëzojë kryesimin dhe të aplikojë masa reciprociteti më këto dy vende. Në të kundërtën, thonë se kryesimi do të ishte i pavlerë.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se realisht deri tani CEFTA nuk ka punuar për Kosovën. Por, duke qenë se e kryeson ketë marrëveshje sivjet, Rukiqi mendon se duhet të merret një vendim për aplikimin e masave të reciprocitetit.
“Duhet që me argumente t’i bindim shtetet tjera anëtare dhe t’i ngrehim këto çështje në takimet e CEFTA-së”, tha Rukiqi.
Sipas tij, përparësi tash është se si kryesuese, Kosova i thërret shtetet në takime, propozon agjendën dhe ngrit tema më rendësi për këtë marrëveshje. Në këtë mes, sipas Rukiqit, duhet të gjejë hapësirë edhe çështja e reciprocitetit.
“Pra, duhet bindur shtetet anëtare se reciprociteti i mundshëm është në të mirë të CEFTA-së”, pohoi ai.
Kryeshefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se kryesimi i CEFTA-s do të jetë i pavlerë, nëse nuk ndryshohet qasja e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundrejt mallrave kosovare. “Kryesimi, si i tillë, është jashtëzakonisht me rëndësi, sepse e ngrit Kosovën në një nivel të barabartë me shtetet tjera anëtare të CEFTA-s. Dua të them se ky kryesim do të jetë i pavlerë, nëse ne nuk mund të arrijmë që të ndryshojmë qasjen e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundrejt mallrave kosovare”, ka thënë Musa.
Edhe kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, pajtohet se një vendim i tillë duhet të merret sa më parë, edhe pse është skeptik se kjo mund të ndodhë sivjet. Ai nuk beson se marrja e kryesimit mund t’i rregullojë gjërat. Këtë punë e sheh më shumë problem politik dhe zgjidhja, sipas tij, është politike dhe mes shteteve.
“Kosova, edhe pse kryeson, prapë një votë e ka. Nuk besoj se kjo mund t’i zgjidhë problemet”, ka thënë Shahini. Megjithatë, ai pajtohet se qeveria është dashtë shumë më herët të aplikojë masat e reciprocitetit.
Ndërkaq, për ekonomistët masat e reciprocitetit është dashur të vendosen qysh në fillim. Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, shpjegon se me vetë marrëveshjen e CEFTA-s i jepet e drejta e palëve nënshkruese të merr masa ndaj çdo veprimi diskriminues nga palët tjera.
“Në momentin e parë që Serbia dhe Bosnja kanë mbyllur dhe ndaluar qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve nga Kosova, vendi ynë ka pasur çdo të drejtë ligjore e morale, të garantuar nga vetë CEFTA, të marrë masa reciprociteti”, thotë Abdixhiku.
Sipas tij, kjo e drejtë nuk është shfrytëzuar asnjëherë tërësisht si rezultat i neglizhencës së adresimit të problemit. Korrigjimi i këtij diskriminimi thotë se mund të jetë përfitimi thelbësor i kryesimit kosovar të CEFTA-s. Do ta kthente marrëveshjen në statusin normal të saj dhe rrjedhimisht të rikuperojë humbjet ekonomike të Kosovës e që lidhen me aftësinë konkurruese të bizneseve kosovare në rajon.
CEFTA-n asokohe në vend të Kosovës e ka nënshkruar UNMIK-u. Pas shpalljes se pavarësisë, Serbia e Bosnja gjejnë arsyetime të ndryshme për të bllokuar mallrat “Made in Kosova”. Atyre u pengon vendi i prejardhjes dhe vula e Republikës së Kosovës.