E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzime për PDK’në

Amerikanët ia kanë bërë me dije PDK’së se nuk mund t’i marrë dy postet më të larta institucionale. Gjithashtu, sipas burimeve të Express’it, diplomatët amerikanë nuk janë shprehur kundër Behgjet Pacollit. AKR’ja mbetet e dëshpëruar me ofertën e PDK’së. Por, bisedimet mes tyre nuk kanë përfunduar. Nga Faton Ismajli më 12 shkurt 2011 në ora 09:38

Amerikanët janë kundër që Partia Demokratike e Kosovës të marrë postin e kryeministrit dhe atë të presidentit, kanë thënë të premten burime ndërkombëtare për Express.

Amerikanët po ashtu nuk i kanë vendosur vija të kuqe kandidaturës së Behgjet Pacollit për President, ka deklaruar zyrtari ndërkombëtar, me kusht anonimiteti.

Ndërkaq, në Kryesinë e PDK’së nuk ka ndryshuar gjë.

PDK’ja sërish ka dalë me qëndrim se i do dy postet më të larta institucionale.
Sekretari i PDK’së, Jakup Krasniqi ka treguar se partia e tij nuk ka lëvizur nga qëndrimi se i do të dyja postet.

Ushtruesi i Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se PDK’ja dhe AKR’ja duhet të bëjnë kompromise gjatë ditëve të ardhshme. Ai ia ka kujtuar AKR’së se është partia e pestë në parlamentin e Kosovës.

“Natyrisht, edhe ne jemi të obliguar për ndonjë kompromis, edhe ata janë të obliguar të bëjnë kompromis. Fundi i fundit, edhe ne e dimë fuqinë politike që e kemi, edhe ata e dinë që janë partia e pestë politike shqiptare”, ka thënë Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK’së.

Ai bëri të ditur se anëtarët e Kryesisë së partisë së tij e kanë mbështetur unanimisht propozimin që ai të jetë kandidat për president të Kosovës.

Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi ka thënë se negociatat me Aleancën Kosova e Re janë në fillim, duke premtuar se shpejt do ndërtohen institucionet e reja.

“Ne do të vazhdojmë të negociojmë me AKR’në. Besojmë se gjatë ditëve në vazhdim do të jemi më konkretë, edhe ne, edhe ata”, ka deklaruar Kuçi, pas takimit të Kryesisë së PDK’së.

Megjithëkëtë, Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka folur për ofertën e PDK’së, të cilën e mori të enjten në mbrëmje. Partisë së tij i është ofruar posti i Kryetarit të Parlamentit dhe disa ministri. Pacolli e refuzon fuqishëm këtë ofertë dhe nuk ka hequr dorë nga kërkesa për t’u bërë president. Atij nuk i është mbushur syri as me ofertat për ministri.

“Them se oferta ka qenë joserioze, ajo ka përmbajtur disa ministri, Kryeparlamentarin dhe ato neve nuk na interesojnë, pasi nuk janë fushë e veprimit tonë. Ne jemi grup i profesionistëve dhe jemi të betuar të punojmë për shtetin e Kosovës. Me këtë hapësirë që është ofruar, nuk e shohim veten aty", ka sqaruar Pacolli pozicionin e Partisë së tij, për Radio Dukagjinin.

Nëse PDK’ja mbetet prapa ofertës së parë, mund ta detyrojë AKR’në që të pajtohet për mbetje në opozitë.

“S’ ka marrëveshje. Oferta ka qenë joserioze dhe neve nuk na intereson dhe, me sa duket, ne do të mbesim në opozitë me partitë e tjera”, ka shtuar ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›