Merita Halili: Do rikthehem me një recital të madh
Merita Halili dhe bashkëshorti i saj, Raif Hyseni, prej dy ditësh ndodhen në Tiranë. Rrugëtimi i tyre nga Mali i Zi në Kosovë e tashmë në Tiranë nuk përfshin vetëm pushime, por edhe projekte pune. Mbetur në kujtesën e publikut si zëri i muzikës së Shqipërisë së Mesme, pas shumë vitesh në Amerikë Halili premton se do të kthehet me një koncert recital në Tiranë. Dy orë muzikë live, këngë të vjetra e të reja nga të gjitha trevat shqiptare. Merita Halili dhe bashkëshorti, njëkohësisht kompozitori i këngëve të saj, tregojnë për aktivitetin në skenat më të mëdha të Amerikës, por edhe planet e së ardhmes.
Si e gjeni Tiranën në çdo kthim tuajin?
M.H: Unë vij në Tiranë me kënaqësinë që kthehem në vendin tim. Thuajse çdo herë e gjej me ndryshime të mëdha, nganjëherë nuk orientohem dot nga rrugët e reja. Por vij edhe me mallin për familjen time, për miqtë me të cilët mundohem të ruaj kontaktet dhe për njerëzit e tjerë që kanë mall për ne.
është një vizitë pushimesh, apo edhe pune kjo e juaja?
M.H: Janë të dyja bashkë. Kemi pushuar, por kemi realizuar edhe ndonjë mbrëmje muzikore. Ishim 10 ditë në Ulqin ku kënduam, pastaj në Kosovë e tani në Tiranë.
Prej disa kohësh nuk jeni e pranishme për publikun shqiptar. Ka ndonjë koncert recital në planet tuaja?
M.H: Jemi duke punuar që të vijmë në Tiranë së bashku me orkestrën për një koncert të madh. Së shpejti ky do të jetë një nga qëllimet tona, sepse ka kohë që gjithë shqiptarët që e duan folkun dhe këngët burimore, kanë dëshirë ta dëgjojnë atë muzikë që ne interpretojmë. Ndonëse nuk e kemi ndërprerë aktivitetin artistik, ne u larguam drejt Amerikës ku sot kultivojmë muzikën shqiptare për komunitetin dhe publikun amerikan, shumica e të cilëve nuk dinin më parë as ku binte Shqipëria. Unë dhe Raifi kemi bërë një punë shumë të madhe në një vend të madh siç është Amerika, ku kemi konkurruar mes grupeve të ndryshme botërore. Kjo na ka dhënë në mënyrë të vetvetishme ndjesinë e ambasadorëve të këngës dhe muzikës popullore shqiptare. Më vjen shumë mirë që kemi bërë diçka për vendin tonë nga ana kulturore. Ndërsa këtu vërtet i kam munguar skenës, ndonëse jam kthyer si e ftuar në disa aktivitete. Kjo gjë më ka shtyrë të mendoj për një koncert shumë të madh recital, ku publiku do të dëgjojë dy orë muzikë live.
Do t’i kushtohet kryesisht këngëve të vjetra?
M.H: Do të ketë këngë të vjetra, por jo vetëm të tilla. Po ashtu programi nuk do të kufizohet vetëm në Shqipërinë e Mesme, por në këngët e të gjitha trevave shqiptare që i shkojnë për shtat zërit tim, ato që populli i ka harruar dhe që po i dëgjon gjithnjë e më shumë në version disko. Do të jetë një orkestër e madhe, gati simfonike, ajo që do të më shoqërojë në këtë interpretim.
Sa dashamirës është publiku amerikan ndaj muzikës tradicionale shqiptare?
Raif Hyseni: Një pjesë e madhe e atyre që ndjekin koncertet tona janë amerikanë. çdo fillim është i vështirë, edhe sikur të kalosh në një apartament të ri në Tiranë e jo më të fillosh jetën familjare dhe karrierën artistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 300 milionë banorë. Tani kemi arritur ato standarde që na lejojnë të prezantojmë muzikën shqiptare në festivalet ndërkombëtare që organizohen në Librarinë e Kongresit Amerikan, në John Kenedy Center në Uashington DC, në Lincoln Center e Brodway në Manhatan, në Kaliforni, Nju Meksiko, Florida etj. Ne jemi përfaqësuesit e vetëm zyrtarë të muzikës shqiptare në të gjithë Amerikën dhe në Europë. Suksesi jonë kurorëzohet me një numër shumë të madh studentësh që kemi atje. Janë rreth 1500 amerikanë që këndojnë, i bien instrumenteve dhe vallëzojnë vallet tradicionale shqiptare të të gjitha trevave. Kemi investuar shumë kohë, shumë mund dhe falë talentit, punës dhe miqve tanë amerikanë, kemi arritur të prezantohemi në qendrat më të mëdha.
Si mund t’i këndojnë shqip amerikanët këngët popullore shqiptare?
Merita Halili: Sepse ne punojmë shumë me ta. U shkruajmë tekstin në shqip, por edhe përkthimin që të mund të kuptojnë se për çfarë bën fjalë kënga. U mësojmë alfabetin, ndryshimet mes shkronjave, shqiptimin e pastaj fillojnë të këndojnë. Ata janë shumë kuriozë. Pyesin për gjithçka. Edhe për gjëra që më parë mua nuk më kishin shkuar në mend.
Nga koha e festivaleve, publiku ju kujton si këngëtaren e Shqipërisë së Mesme. Repertori juaj është zgjeruar shumë. Erdhi natyrshëm për ju ky ndryshim?
M.H: Edhe kur kam kënduar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore nuk ishte zëri që më kishte kushtëzuar këngët e Shqipërisë së Mesme, por sepse nga të gjitha trevat ka pasur këngëtarë të mrekullueshëm profesionistë që mbulonin pjesën e tyre. Unë kam punuar që 5 vjeçe me muzikën dhe familjarët e mi e dinë që më shumë orë kaloja në Institutin e Kulturës Popullore, sesa në shtëpinë time. Ansambli Popullor ka qenë një eksperiencë e madhe për mua. Zgjerimi i repertorit erdhi si një kërkesë normale, duke qenë se unë këndoj në një vend me komunitet të zgjeruar, me shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Gjithsecilin prej tyre e gëzon nëse i këndon një këngë nga treva e vet. Për mua ka qenë shumë e lehtë si këngëtare profesioniste, por edhe sepse jemi rritur me ato këngë. E vështirë nuk është t’i interpretosh, por t’i ruash këto këngë.
Ju ruani kujtimet e një ansambli në kohët e arta të tij. çfarë mendoni sot për këtë institucion?
M.H: Më vjen shumë keq që sot e shikoj në të tilla nivele. Dikur arti ishte një nga prioritetet dhe sot duket i varfër. Por shpresoj që janë momente që do të kalojnë dhe unë jam optimiste që Ansambli do rikthehet në vendin që i takon.
Keni nostalgji për të shkuarën?
M.H: Kam shumë, sepse kam jetuar, janë njerëzit që kanë hyrë në jetën e në punën time. Të mos kesh nostalgji, do të thotë të mos kesh shpirt. Gjithçka që unë këndoj buron nga zemra.
Sa e vështirë është të ruash të njëjtin imazh në vendin tuaj, ndërkohë që i jeni larguar?
Po më kujtohet shprehja e dikujt që më tha: Sa mirë ke bërë që ke ikur, se kur vjen këtu, na merr malli për ty. Brezat ndryshojnë, rifreskohen, por të jep kënaqësi kur gjen adhurues edhe te të rinjtë. Shkëputja për një moment ndodh që i bën mirë një artisti.
Ju vazhdoni të mbani veshjen popullore në skenë. Nga cilat krahina i zgjidhni veshjet?
M.H: Nga Zadrima, nga Shqipëria e Mesme, nga jugu. I kam të gjitha kostumet. Më pëlqen t’i tregoj publikut që Shqipëria është kaq e pasur artistikisht. Kostumi i Tiranës, i qepur dhe qëndisur me ar e argjend, është ai që i befason më shumë. Jam munduar ta gjej origjinal, siç e kam pasur më parë, sepse ma kanë marrë atë të mëparshmin.
Raifi kompozon dhe ju këndoni. Si është bashkëpunimi mes jush?
M.H: Mundohemi t’i japim gjithçkaje kohën që i takon. Ka momente kur ulemi, diskutojmë, shkëmbejmë mendime. Ka edhe momente lodhjeje kur e lëmë të qetë njëri-tjetrin. Ndonjëherë Raifi më shtyn derisa të vij në formë.
R.H: Ne i klasifikojmë gjërat, nuk e ngatërrojmë familjen me punën, apo punën me familjen. Ka qenë pak e vështirë derisa kemi ardhur në një pozitë të tillë. Nga ana tjetër, zëri i Meritës të jep kënaqësi, shpresë dhe çdo ndjenjë pozitive, ndaj është e lehtë të punosh me të. Merita nga Shqipëria, unë nga Kosova, e plotësojmë njëri-tjetrin. Mes nesh nuk kanë ekzistuar kufijtë dhe nuk do të ekzistojnë.
Juve ju ka lidhur së pari muzika?
M.H: Ajo na tërhoqi më shumë. Jemi njohur në Amerikë. Unë pashë një djalë me fizarmonikë nga Kosova dhe u befasova. I kërkoja nëse e njihte këtë apo atë këngë popullore dhe ai vetëm i ekzekutonte. Kosovarët i kanë ditur të gjitha këngët tona, ndërsa ne kemi qenë më të tërhequr.
Gjithmonë bashkë, në koncerte apo në festivale. Përveçse si muzikantë, si jeni ju si familjarë?
M.H: Ne e duam artin që bëjmë, por edhe familja ka qenë kryesore për ne, pavarësisht se këto gjëra janë të vështira të shkojnë bashkë. Kur vajzat kanë qenë më të vogla, jemi detyruar edhe t’i lëmë me dado. Por gjithnjë e kam pasur merak të gjeja gra shqiptare.
R.H: Merita punon shumë me fëmijët. Duke qenë se kemi tri vajza, ajo punon më shumë me to, ndërsa unë mundohem t’u japim eksperiencën e jetës. Vajzat i sjellim për pushime verore si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, që ta dinë nga vijnë prindërit e tyre, të njihen me kulturën dhe të ruajnë gjuhën.
E ka trashëguar ndonjë nga vajzat zërin?
M.H: Shoh ndonjë element, por nuk dua të flas para kohe. Jo vetëm arti, por çdo lloj fushe tjetër nuk mund të imponohet.
Raif, ju jeni ai që kompozoni vazhdimisht këngë që i shtohen repertorit të Meritës. Ku bazoheni për këngët e reja?
Gjithmonë jam bazuar te motivi popullor që është i pashtershëm, pastaj i zgjeroj në varësi të stilit. Aktualisht jam në punë e sipër për CD-në time personale instrumentale. Një nga këto melodi titullohet tango shqiptare. Ndonëse është tango, sërish e ka motivin shqiptar. Muzika tradicionale shqiptare është shumë e pasur dhe ne nuk kemi arsye të ndjehemi inferiorë. Gjithë kjo sa po ndodh sot me deformimin e muzikës burimore, shpresoj të jetë vetëm një fazë kalimtare.
Koncerte të shumta, repertori i zgjeruar... Do të pasohen këto edhe me një album për Meritën?
Unë nuk dua të nxjerr një album thjesht sa për të qenë në treg. Sipas meje, albumi duhet të jetë një libër, një këngë të dëgjohet sot, por edhe pas 100 vjetësh. Ashtu siç unë e mësova nga Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi e Muharrem Gura, dua që albumi im të jetë një kontribut që brezi i ri ta kultivojë më vonë folklorin shqiptar.
Cilat janë synimet në vazhdim?
M.H: Ndërkohë që Raifi po merret me CD-në e tij, unë kam dëshirë të realizoj disa koncerte recitale për spektatorin në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në trevat shqiptare.