Njeriu 3D edhe në Tiranë

Një program filmash në formatin 3D i prezantohen publikut nga kinema Imperial në vjeshtë. Rikthehet "Shrek 4" dhe "Avatar" dhe vjen premierë "Liza në botën e çudirave". Altin Prifti, tregon "angaritë" e përshirjes në formatin e ri
Rrjeti i kinemave "Imperial", premton një sezon të ri. Një program me 15 filma, horror, fantashkencë, të animuar, në formatin 3D, një teknologji e avancuar. Programi nis në shtator, me filma që shikuesi i ka të njohur, "Avatar" i James Cameron dhe "Shrek 4" i Mike Mitchell.
Vijon më tej me "The Last AirBender" i regjisorit Manoj Shyamalan, "Final Destination" i regjisorit David Ellis, "Clash of the titans" i Louis Leterrier. Një pjesë e konsiderueshme e programit mendohet t'i kushtohet fëmijëve deri në 12 vjeç, rreth 40 përqind e tij.
Dy kompani të njohura prezantojnë filmat e animuar: "Hoë to trains your dragon" i regjisorit Dean DeBlois, prodhim i Dreamworks dhe "Despicable me" i regjisorit Pierre Coffin, prodhim i "Universal".
Lajm është edhe shfaqja e filmit të kompanisë Disney "Liza në botën e çudirave" i regjisorit të njohur Tim Burton. Më tepër detaje rreth programit të ri të vitit jep drejtori i rrjetit Imperial të kinemave, Altin Prifti.
Duke marrë parasysh koston dhe vështirësitë e transmetimit, ç'ju nxiti për ta sjellë formatin 3D në kinemanë shqipare?
Tani ka ndryshuar struktura demografike dhe shija e spektatorit të kinemasë. Kishte ardhur koha që edhe në Shqipëri të vinte teknologjia e re e përparuar e transmetimit. Ka qenë një ambicie jona që të kishim edhe këtë format. Të gjithë njerëzit mund ta dijnë që formati 3D është shumë i kushtueshëm.
Kjo teknologji aplikohet vetëm në 30-40% të kinemave në mbarë botën, një shifër në përpjestim të zhdrejtë me përqindjen e shikueshmërisë. Njerëzit po i shohin filmat në kinema dixhitale, ose edhe në 3D. Filmat 3D kanë lindur qysh në shek. XIX.
Në vitin 1950 iu kushtua më tepër vëmendje këtij formati dhe u arrit të prodhohej. Nuk po flasim për 3D-në e mirëfilltë, atë spektakolare që shohim sot. Kulmi u arrit pastaj me filmin e James Cameron-it, "Avatar", të realizuar 8 muaj më parë.
Për ata që nuk e njohin këtë format, çfarë ka më shumë një film i shfaqur në 3D?
Ca njerëzve u është dukur e çuditshme kur u janë dhënë syze për të parë një film në 3D. Po flas për njerëzit që vijnë pak ose aspak në kinema dhe vijnë të shtyrë nga kurioziteti. Këtë e provuam me ndjeshjet që transmetuam 'live' për kampionatin botëror. Risia tjetër është lloji i ekranit, "silver screen" ku projektohet filmi dhe audioja.
Një pjesë e specialistëve thonë se një film i mirë i parë në 3D është identik me shikimin real të njerëzve. Këtu panorama është edhe më e plotë akoma sepse shtohen efekte të fuqishme. Duket sikur figurat dalin nga ekrani.
Po teknika dhe aparati ku shfaqen filmat e këtij formati, ku ndryshon nga të zakonshmet?
Janë aparatura dixhitale. Ne i kemi blerë nga kompania NEC. Sistemi i projektimit është 3D XpanD dhe ka programe të veçanta për projektimin e tyre. Është e vështirë të transmetosh në 3D, prandaj është e kushtueshme. Veç çmimit të blerjes që në total shkon 150.000 euro, ka disa probleme teknike që duhen zgjidhur para se të bësh një transmetim. Vetëm kostoja e titrimit të një filmi është mbi 15.000 dollarë.
Një proces tjetër është edhe instalimi i filmit nëpërmjet një hardisku. Për ta shfaqur filmin duhet patjetër të marrësh disa kode online nga kompania prodhuese, një kod i vlefshëm për 6-12 orë e që pastaj duhet të rinovohet. Shfaqjet e filmit janë të autorizuara dhe të limituara. Në çdo kohë, je i monitoruar nga kompania prodhuese.
Kjo është edhe një mënyrë për të kontrolluar piraterinë. Një ndryshim tjetër, me formatin 35 mm, është se nuk mund ta ndalosh dhe kthesh filmin sa herë të duash.
Po teknikët sa e kanë të njohur teknologjinë e re?
Jam i kënaqur që kam në staf disa nga teknikët më të vjetër në profesion, por edhe djem të rinj të talentuar. Njëri prej tyre, ka marrë një trajnim të caktuar pranë kompanisë (NEC) për njohjen e programit.
Çfarë filmash keni porositur dhe kur shfaqen për publikun?
Ne kemi vendosur të fillojmë shfaqjen e tyre në fund të gushtit, ose në fillim të shtatorit, sepse tani vëmendja e njerëzve nuk është te kinemaja. Do të sjellim për publikun filmat më të mirë të prodhuar në 3D.
E fillojmë me "Avatarin" dhe "Shrek 4". Vijojmë me "Last AirBender" dhe "Final Destination", "Clash of the titans" të kompanisë Warner Bros. Filmat e animuar: "How to trains your dragon" i Dreamworks dhe "Despicable me" i "Universal". Kemi nënshkruar një kontratë me "Disney", që përfshin gati 80% të filmave të tyre të prodhuar në 3D.
Fillojmë me shfaqjen e "Toy Story 3" më vonë me "Liza në botën e çudirave" nga "Disney". Do të sjellim në formatin dixhital, filmin "Princi i Persisë", më vonë "Rapunzel" po nga "Disney". Shfaqen fillimisht në kinematë që ndodhen në qendrën "Kristal".
Sa kushton blerja e një filmi në 3D?
Kemi blerë 10-15 filma. Licensa blihet për të gjithë formatet dhe blerja e një filmi shkon 5000-10.000 dollarë. Më i shtrenjti nga filmat është "Harry Poter 7" që ka kushtuar 12.000 dollarë. U bë disa vjet që operojmë me konceptin e "minimum garanty".
Ndajmë fitimet, çdo fitim mbi biletat ndahet me një raport të caktuar me kompaninë prodhuese. Kjo pasi është shlyer kostoja fillestare e filmit. Por, vështirësia më e madhe, qëndron tek titrimi. Shtete si Gjermania, Italia, problemin e titrimit e kanë zgjidhur në një mënyrë më të kushtueshme: i dublojnë filmat.
Po në Shqipëri, si do ta zgjidhni?
Mua më vjen mirë që në bashkëpunim me "Disney"-in do të krijojmë studion e parë shqiptare të dublimit, e certifikuar kjo.
Pa dashur që të anashkaloj dublantët dhe studiot e dublimit ekzistuese, tanimë ka ardhur koha t'u bindemi dhe t'i përputhemi standarteve të dublimit, të cilat çertifikohen nga kompanitë prodhuese të Hollivudit. Për dublimin e filmave mendohen të merren jo vetëm aktorë të teatrit shqiptar, por edhe njerëz që kanë një prirje për të dubluar. Shpresoj që në nëntor të dalim me filmin e parë të dubluar në shqip.
A keni ndonjë strategji marketingu për të thithur publikun?
Ne kemi një armë të fuqishme marketimi. Kemi bashkëpunim me televizionet ku filmat promovohen përmes spoteve televizive dhe njoftimeve. Po ashtu janë shfrytëzuar edhe gazetat. Do të duam ta zgjerojmë më tepër këtë rrjet.
Do të doja të shtoja diçka me interes për shikuesit e kinemasë. Në momentin që do dalim me 3D, duam që njerëzit të mos stepen për arsyet e çmimit. Pavarësisht se ka një kosto të lartë investimi, çmimi do të jetë i arsyeshëm. Mendohet diku tek 600-800 lekë. Do të kemi hera-herës oferta për filmat për fëmijë dhe në ditë të caktuara të javës.