Rama: Ishte një LSI që hapej e hapej, tani janë këto partitë e reja

TIRANË, 4 maj /ATSH/ – Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Lezha, në takimin përmbyllës elektoral të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, u shpreh me tone kritike ndaj partive të vogla, duke i krahasuar ato me “qeliza kanceri”, që sipas tij shtohen për interesa të ngushta dhe jo për të kontribuar në demokraci.
“E kujtoni që ishte një LSI, që hapej e hapej e hapej. Më ka tmerruar kur kam lexuar për qelizat e kancerit, se si rriten. Rritjen e kanë qëllim në vetvete kundër mbarëvajtjes së organizmit. Këta janë version laik, jo fetar. Nuk kanë një shef kulti”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se përvoja politike në Shqipëri ka treguar se partitë e vogla janë më shumë problem se vlerë për sistemin demokratik.
“Sa më të vogla partitë, aq më të vogla interesat dhe aq më të mëdha llafet. Mblidhen për interesat e tyre. Historia ka treguar se janë problem, jo vlerë për demokracinë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë justifikoi krijimin e forcave të reja politike, në kushtet kur sipas tij, Partia Demokratike është në krizë. Ai nënvizoi se Partia Socialiste është e gatshme t’i mirëpresë.
“Kjo është e justifikuar kur këtu një kënetë ka marrë rrugët dhe PD nuk kupton se ku po shkon. Por ata pa parti nuk mbeten. Ne jemi gati t’i marrim, por dalin këto të tjerat dhe premtojnë”, deklaroi Rama.
Duke folur për programin elektoral të PS-së, Rama theksoi se ai nuk përmban premtime populiste, por mbështetet në analiza dhe konsulta me ekspertë të njohur ekonomikë, përfshirë kryeekonomistin e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.
“Kur flasim për pensione, paga, rritje, i kalojmë në filtrat e këtyre lloj burimeve. Janë njerëz të ditur që më ndihmojnë edhe mua me aritmetikën e Liceut”, u shpreh me ironi Rama. /j.p/