E Martë, 3 Nëntor 2026

Topalli apel emigrantëve: Ktheni sa më shpejt zarfat e votimit, na informoni për çdo parregullsi

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli foli për parregullsi në shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit të emigrantëve në Greqi.

Në një deklaratë për mediet, Topalli ftoi zgjedhësit nga jashtë që të përmbyllin sa më shpejt procesin e votimit.

Së pari, ajo falënderoi diasporën duke u shprehur se zarfet që po kthehen në Shqipëri duket se do bëjnë kthesën e madhe.

“Numri i madh i zarfeve që vijnë është realisht shumë befasues dhe shenjë shumë pozitive në shprehjen e përgjegjësisë dhe kthimit në faktor të rëndësishëm politik të diasporës”, u shpreh Topalli.

Së dyti, ajo njoftoi se numri i zarfeve të kthyer nga Italia është rreth 62 mijë, numri që vjen nga Greqia është 22 mijë, numri i zarfeve të ardhur nga SHBA është 14 mijë, 10 mijë nga Britania e Madhe, dhe po kështu nga vendet e tjera.

Ajo u bëri ftesë të gjithë atyre që ende nuk kanë plotësuar fletën e votimit, apo nuk kanë dorëzuar zarfin, që ta bëjnë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Dhe së treti, vijoi Topalli, ata që nuk kanë mundur të regjistrohen dhe që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, kanë një mundësi. “Unë i ftoj të bëjnë një sakrificë të fundit: të marrin biletat, apo makinat, që në fundin e javës së ardhshme të jenë në Shqipëri e të jenë pjesë e ndryshimit të madh në vendlindjen e tyre”, tha ajo.

Topalli tha se gjatë kësaj kohe ka pasur raportime nga shtete të ndryshme, kryesisht nga Greqia, ku janë identifikuar disa probleme të rëndësishme.

“I ftoj të gjithë shqiptarët që jetojnë atje të na informojnë për çdo parregullsi që mund të kenë vënë re. Ne do t’i përcjellim ato menjëherë dhe me përgjegjësi”, përfundoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›