Rama: Investim në Rubik për prodhime të standardeve shumë të larta të NATO-s

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetari i Partisë Socialiste u ndal sot gjatë takimit përmbyllës të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit tek investimet në fushën e mbrojtjes.
“Buxhetin e mbrojtjes e kemi bërë 10-fish, nga 28 milionë që ishte ushtria më e keqpaguar dhe më e keqpajisur dhe fatkeqësisht e zhytur në korrupsion, paguanin njerëzit e shkretë mijëra euro për të shkuar edhe në Afganistan”, u shpreh Rama.
Sot, vijoi ai, kemi ushtrinë më të mirëpaguar të rajonit, përfshirë edhe ushtrinë serbe, që është ushtria më e fortë në rajon.
“Paga mesatare e ushtarakëve sot dhe në 2030 synojmë që paga mesatare e ushtarakëve të jetë mesatarja e ushtrive të NATO-s”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, Rama ndau me të pranishmit informacionin se ka nisur puna në disa pika ku do të fillojnë investimet për ta rilindur industrinë ushtarake.
“Një nga pikat është Rubiku, ku do kemi një investim shumë të rëndësishëm për prodhime të standardeve shumë të larta të NATO-s”, tha Rama.