Rama: 218,5 milionë euro investime në qarkun e Lezhës, 268 projekte zhvillimi

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në takimin përmbyllës elektoral në Lezhë, u shpreh se, gjatë një dekade janë investuar 218,45 milionë euro, në zbatimin e rreth 268 projekteve nga infrastruktura rrugore, arsimi, shëndetësia, mjedisi, bujqësia dhe kultura.
Në fjalën e tij gjatë takimit në Lezhë, për prezantimin e arritjeve kryesore në sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE, Rama tha se, “në këtë dekadë ne kemi arritu të krijojmë 95% akses në infrastrukturën rrugore urbane dhe rurale brenda qarkut Lezhë”.
“Në infrastrukturën rrugore të qarkut Lezhë janë realizuar 49 projekte me vlerë 45 milionë euro dhe kemi investuar në 177,6 km rrugë. Patjetër që kemi akoma për të bërë, por tmerri i qarkullimit në rrugë pa rrugë ka mbaruar”, u shpreh Rama.
Rama u ndal në projektet e rigjenerimit urban, ku veçoi se në këtë sektor janë zbatuar 18 projekte rivitalizimi me vlerë 8,5 milionë euro. Ndërsa për projektin e rindërtimit janë investuar 23 milionë euro, investime që vijojnë akoma dhe që i kanë kthyer Kurbinin dhe Lezhën me pamje të transformuar urbanistike.
Gjithashtu, vijoi Rama, investime janë adresuar edhe në sektorin e turizmit dhe mjedisit me vlerë 2,5 milionë, ndërsa për ujësjellës kanalizime janë zbatuar 37 projekte me vlerë investimi 38 milionë euro.
Po ashtu, në energjetikë janë investuar 36 milionë euro ku është përmirësuar ndjeshëm sistemi i shpërndarjes dhe cilësia e furnizmit me energji e popullatës në këto zona.
Rama vuri në dukje se në këtë qark nuk mbeten pas edhe investimet në bujqësi, shëndetësi e sport. Respektivisht në këta sektorë, bëri të ditur ai, janë investuar 27,13 milionë euro në 55 projekte, 20 milionë euro për përmirësimin e qendrave shëndetësore, ndërsa pritet përfundimi i ndërtimit të spitalit të ri Lezhë dhe 3,8 milionë euro investime për sportin.
“Qarku Lezhë ka shkolla sipas standardeve më të mira, vendi po shkon në drejtimin e dukur dhe BE na do brenda saj, ndaj vota juaj për PS-në është votë për vijimin e zhvillimit ” tha Rama. /j.p/
1 nga 3