Merja: Shqiptarëve jashtë vendit po u cenohet e drejta themelore për të votuar

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Zëdhënësja e fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja u shpreh sot se, “shqiptarëve jashtë vendit po u cenohet e drejta themelore për të votuar”.
Në një deklaratë për mediet, Merja u shpreh se, “prej ditësh janë denoncuar parregullsi të shumta sa i përket votës së diasporës”.
Sipas saj, “procesi është i manipuluar, i deformuar dhe i ndërtuar për t’i përjashtuar qëllimisht ata që nuk i binden regjimit”.
“Qeveria ka mashtruar sërish. Premtuan votë për diasporën, por në prapaskenë kanë ndërtuar barriera, pengesa dhe një rrjet manipulimi që t’i heshtin ata që nuk i kontrollojnë dot. Sepse ata e dinë: diaspora nuk shitet, nuk frikësohet dhe nuk komandohet”, tha Merja.
“Denoncoj me forcë këtë farsë që po bëhet mbi fatin e votës. Kjo është një goditje brutale ndaj demokracisë, është një poshtërim i shqiptarëve që sakrifikojnë çdo ditë jashtë vendit, por duan të jenë pjesë e ndryshimit në atdhe”, theksoi Merja.
“Denoncoj këtë proces të manipuluar dhe kërkoj që çdo votë e diasporës te transportohet nga DHL-ja brenda afateve dhe rregullimeve ligjore”, nënvizoi Merja.
Merja kërkoi që “të rregullohen listat e zgjedhësve pasi votues të diasporës figurojnë votues në njësi të ndryshme të Tiranës”.
Merja u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, “mos u frikësoni! Mos u trembni nga propaganda, nga shantazhet apo nga mashtrimet e tyre”.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zëra të fortë dhe qytetarë të vendosur. Demokracia nuk jepet dhuratë, ajo kërkon guxim dhe bashkim. Qëndroni të fortë. Qëndroni të lirë. Qëndroni në këmbë. Në këtë betejë nuk kemi luksin të heshtim. Është koha të qëndrojmë të bashkuar dhe të pamposhtur. Zëri i diasporës do të dëgjohet, me çdo kusht. Kush përpiqet ta vjedhë, do përballet me përgjegjësi”, theksoi ajo. /j.p/