E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkato dimërore përmes skanerit

“Albania” paraqet një “listë” të blerjeve të skuadrave gjatë periudhës dimërore

Pas përfundimit të pauzës dimërore, ku 10 prej 12 skuadrave të Kategorisë Superiore e kryen fazën përgatitore jashtë Shqipërisë (me përjashtim të Teutës e Partizanit), rinis edhe kampionati shqiptar i futbollit me ndeshjet e javës së 18-të. Kjo periudhë shërbeu njëherësh edhe për përforcime në radhët e skuadrave ku shumë prej tyre “psonisën” jashtë e disa huazuan apo këmbyen futbollistë. “Albania” paraqet një “listë” të blerjeve të skuadrave gjatë periudhës dimërore. Ish-sulmuesi i Partizanit ishte blerja më e bujshme e Dinamos dhe e merkatos shqiptare. Shuma e paguar për të është 100 mijë euro.

VLLAZNIA
ELVIN BEQIRI - Mbrojtësi i Kombëtares firmosi një vit kontratë me 9 herë kampionët e Shqipërisë. Me Vllazninë ka luajtur 88 ndeshje, duke shënuar 8 gola. 28-vjeçari ka luajtur gjatë karrierës së tij pesë sezone në Ukrainë me Metalurg Dontesk (57 ndeshje në total), Arsenalin (po në Ukrainë; Alanian (në Rusi) dhe Makabi Tel Aviv (Izrael, 12 ndeshje).
MIRKO PLANTIÇ- Vllaznia zyrtarizoi blerjen e kroatit Mirko Plantië (ish-Varteks, ish U-21 i Kroacisë). Kroati 24-vjeçar Plantiç, i cili së fundi ka luajtur në Sllovaki, është kroati i dytë për këtë sezon pas Marko Bashiç (16 ndeshje, 1 gol) dhe i huaji i katërt te shkodranët, duke shtuar edhe dy ganezët James Boadu (17 ndeshje, 3 gola) dhe Adamu Mohammed (2 ndeshje).
XHEVAHIR SUKAJ - Sulmuesi 21-vjeçar rivishet sërish kuqeblu në sezonin e tij të katërt me skuadrën shkodrane. Xhevahir Sukaj, i konsideruar si një talent e produkt i pastër i shkollës shkodrane të futbollit, ka luajtur gjatë karrierës së tij të shkurtër futbollistike me Vllazninë (74 ndeshje, 19 gola), Elbasanin (4 ndeshje, asnjë gol) dhe së fundi me Hacettepe (8 ndeshje, asnjë gol).
KLODIAN SEMINA – Mbrojtësi 20-vjeçar Klodian Semina do të veshë fanellën e Vllaznisë. Ish-lojtari i huazuar te Ada pati një eksperiencë në kampionatin bullgar me Belasitca Petrich, ku arriti edhe të shënojë gola në Bullgari

Dinamo

ELIS BAKAJ – Ish-sulmuesi i Partizanit ishte blerja më e bujshme e Dinamos. Shuma e paguar për të është 100 mijë euro.
SABINO PLAKU –Presidenti Besnik Sulaj pagoi 60 mijë euro për ta blerë te skuadra norvegjeze HamKam.
DARIO BODRUSIÇ – Mbrojtësi kroat Dario Bodrusic u transferua nga Rijeka te ish-ekipi i tij.
RUBEN OSKAR ÇEKO- Sulmuesi 25-vjeçar argjentinas nënshkroi për 18 muaj me Dinamon.
MARIO ANTONIO ROMERO – Sulmuesi argjentinas nënshkroi për katër muaj me opsion shtyrje.

TEUTA
ARIAN SHETA – Mbrojtësi tiranas, i cili u përjashtua nga Elbasani gjatë merkatos dimërore (dy sezone me verdheblutë), firmosi për Teutën. 27-vjeçari Sheta më parë ka luajtur edhe në Greqi me Kalithean si dhe në Qipro me Agjia Napën, si dhe me Elbasanin, Partizanin e Tiranën në Shqipëri.
JOZEF THANA- Mesfushori 20-vjeçar Jozef Thana (ish-lojtar i Elbasanit dhe ish-lojtar i Skënderbeut) firmosi për Teutën për pjesën tjetër të sezonit.

BYLIS
FLORENC ARAPI – Ish-lojtari i Tiranës ishte blerja e parë dimërore e Bylisit. Arapi u huazua deri në fund të sezonit.
DEJAN GASTAR- Bylis firmosi për 1 vit me kroatin Dejan Gastar (ish- te Degefors në Suedi, te Raps në Finlandë e Osijek në Kroaci). Ditmar Kapinovski e franko-ganezi Konhan Yoroba Didier janë emrat e tjerë të Bylisit. Në pjesën e parë të sezonit, te Bylisi ishin edhe nigeriani Emanuel Egbo (mbylli sezonin me Bylisin), maqedonasi Mirselovski. Këtyre u shtohen Kaboure Mousa, Mupceaoku Auc Pau, Pedro Paolo Pinehero Dos Neves, Cuzet Filiz dhe El Archi Adnane.
IVAN DISIÇ - Maqedonasi 28-vjeçar nënshkroi një kontratë 1-vjeçare me Bylisin. Ish-lojtari i Belasica Strumica është blerja e shtatë dimërore e presidentit Kapllanaj.

PARTIZANI
ENGERT BAKALLI – Ish-lojtari i Elbasanit (15 ndeshje në sezonin aktual) është përfundimisht lojtar i Partizanit. 33-vjeçari Bakalli ka veshur më parë edhe fanellën e Tiranës (86 ndeshje, 1 gol) e të Dinamos (152 ndeshje, 5 gola).
REZART MAHO- Sulmuesi Maho është ende në pritje të letrave nga skuadra e tij greke, Kallamata, por ka vendosur të luajë me të kuqtë.
GENTIAN GJONDEDA- Ish-kapiteni i Teutës (14 ndeshje këtë sezon) ende nuk ka zgjidhur akoma problemet me dokumentacionin me klubin durrsak.

SHKUMBINI
IGOR JAKSIMOVIÇ- Igor Jaksimoviç është blerja e parë e Shkumbinit. Mesfushori serb bindi me cilësitë e tij trajnerin Gugash Magani.
AHMET MUJGRADIÇ -Mbrojtësi serbo-boshnjak Ahmet Mujgradiç është zyrtarisht lojtar i Shkumbinit. 23-vjeçari është i huaji i tretë në Peqin. Te Shkumbini luan edhe maqedonasi Cvete Deliovski (6 ndeshje, 1 gol në sezonin aktual).

ELBASANI
NEVIL DEDE – “Mbrojtësi i hekurt” pas rikthimit nga kampionati kinez u shndërrua në blerjen e parë sezonale të Elbasanit.
NIKOLLA KLECKAROSKI -Sulmuesi maqedonas Kleckaroski është “dhurata” e vitit 2009 për trajnerin Mirel Josa. Futbollisti nga Struga vjen nga ekipi “Horizont Trunovo”.
ILIR QORRI- Ish-futbollisti i Teutës nënshkroi me Elbasanin për pjesën tjetër të sezonit. Një rikthim i tij te verdheblutë.
ELEANDRO PEMA - Ish-sulmuesi 23-vjeçar i Flamurtarit, i cili më parë ka luajtur edhe me Tiranën e Dinamon (me të dy ekipet është shpallur kampion kombëtar) firmosi për Elbasanin.
RRAHMAN HALLAÇI – Ish-mbrojtësi i Partizanit nënshkroi me Elbasanin, 2 herë kampion të Shqipërisë.
TONI MEGLENSKI- Maqedonasi Toni Meglenski është lojtar i Elbasanit. Mesfushori Meglenski (27 vjeç, 169 ndeshje me Pobeda, 7 ndeshje me Vardar) ishte pjesë e Elbasanit në sezonin 2007-2008 (14 ndeshje).
ENKEL ALIKAJ - Mesfushori Alikaj (ish-lojtar te Besa) erdhi te Elbasani pas grindjes me trajnerin Ilir Daja të Besës.

TIRANA
XHULJAN RRUDHO- Ish-lojtari i Kievos është blerja e parë e Tiranës në merkaton dimërore. Sulmuesi nga Divjaka, pas prishjes së marrëveshjes verore me Partizanin, është stërvitur me Fiorentinën. 21-vjeçari është rritur si futbollist në Itali, ku ka luajtur me disa ekipe të njohura përfshirë Ankonën e Kievon, madje ka luajtur edhe për disa minuta kundër Milanit të madh.
SAIMIR PATUSHI – “Pata” është blerja e re e Tiranës. Mesfushori i njohur, tre tituj kampion me bardheblutë, i rikthehet futbollit të luajtur pas një viti ndërprerjeje. Pas largimit nga Tirana, ish-futbollisti i Partizanit e i Vllaznisë luajti për Elbasanin e Shkumbinin.

APOLONIA
FERIZOVIÇ – Qendërmbrojtësi Ferizoviç dhe sulmuesi Haxhibuliç u bënë pjesë e Apolonisë. Te skuadra fierake janë aktualisht Aleksandër Sreçkoviç, Pedrag Mirçeta, Semir Haxhibuliç, Mladen Kërkiç. Përveç këtyre ka edhe dy brazilianë, Uashington Junior dhe Jean Da Silva.
HOXHA – Ish-portieri i Dinamos, Hoxha, u bashkua me Apoloninë.
ERION HOTI- Mesfushori Erion Hoti (ish-Vllaznia) është blerja e katërt dimërore e Apolonisë.

BESA
ORIAND ABAZAJ - Besa dhe Elbasani kanë bërë një marrëveshje të suksesshme mes tyre për të shkëmbyer sulmuesin Oriand Abazaj të Elbasanit te Besa duke i dhënë Alikajn.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›