E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkato e nxehte blerjet e Lukaku Pastore e Tevez

Kohë prezantimesh dhe ofertash në futbollin europian që ka hyrë në fazën më të nxehtë të merkatos.

Ndërsa gjithçka rrotullohet rreth emrave te mëdhenj, Chelsea dhe Paris SG kanë preferuar të përqëndrohen te talentet. Blutë e Londrës kanë blerë nga Anderlecht, Romelu Lukaku, i cili konsiderohet si pasardhësi i denjë i Didier Drogba.

I ngjashëm në fizik me sulmuesin afrikan, 18-vjeçari i kombëtares belge ka mbërritur në Londër për t’iu nënshtruar testeve mjeksore. Chelsea ka paguar 18 milionë paund për sulmuesin që ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me klubin anglez.

Ndërkohë edhe Paris SG ka prezantuar përpara mediave blerjen më të bujshme të kësaj merkatoje, fantazistin argjentinas Javier Pastore.

I shoqëruar nga drejtori teknik Leonardo, futbollisti është shprehur se nuk është penduar për zgjedhjen e tij, megjithëse kërkohej nga skuadrat më të mëdha të Europës.

Pastore u transferua te Paris SG për 43 milionë euro, një shifër kjo e lartë për një lojtar që për dy sezone ka luajtur te Palermo. Përpos këtyre konfirmimeve, merkato e futbollit europian vazhdon të përqëndrohet te emrat e mëdhenj, ku një nga më të përfolurit është ai i Carlos Tevez.

Sulmuesi argjentinas, prej kohësh larg Manchester City është vetëm një hap larg transferimit te Interi.

Humbja kundër Milanit në finalen e Superkupës së Italisë, ka bërë që padroni zikaltër, Massimo Moratti, të përshpejtojë tratativat për blerjen e lojtarit.

Por kalimi i tij te Interi kërkon një sakrificë nga klubi zikaltër që me shumë mundësi do të pranojë të heqë dorë nga shërbimet e ëesley Sneijder, e ardhmja e të cilit është në Manchester, por nuk dihet nëse te United i Alex Ferguson apo te City i Roberto Mancinit.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›