E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel- Sarkozy, unitet për një qeveri ekonomike të BE-së


Pas shenjave të fundit të nervozismit, Gjermania dhe Franca treguan unitet mes tyre dhe kërkuan një qeveri të fortë ekonomike europiane të 27 shteteve anëtare të BE-së. "Ne kemi nevojë për një qeveri më të fortë ekonomike se ajo që kemi sot dhe për mua është shumë me rëndësi që ajo përbëhet nga kryetarët dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së. Kështu dhe vetëm kështu ,ne mund të çojmë përpara Europën me dobësitë që kemi ende sot", tha Merkel . Në rast nevoje në takimin e posaçëm mund të ftohen edhe kryetarët dhe kryeministrat e qeverive të 16 vendeve të eurozonës, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, pas këshillimeve me presidentin francez Nikolas Sarkozy në Berlin të hënën. Parisi ka kërkuar ngritjen e një qeverie ekonomike, posaçërisht për eurozonën. Merkeli ka refuzuar kërkesën e Sarkozysë me arsyetimin se nuk guxon të ketë anëtarë të klasës së parë dhë të dytë në BE. Kancelarja dhe presidenti sqaruan se në samitin e G20-ës në fund të muajit në Toronto të Kanadasë do të angazhohen bashkarisht për një taksë për bankat dhe një taksë për transaksionet financiare. Më herët Merkel tha se nuk pranon se ka mosmarrëveshje me presidentin francez për politikën që duhet ndjekur në menaxhimin e krizës së BE-së, megjithëse diferencat vazhdojnë të ekzistojnë. Angela Merkel kërkon që të 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së të marrin në dorë koordinimin e politikës ekonomike dhe financiare. Presidenti francez favorizon një qeveri ekonomike në të cilën të marrin pjesë 16 vendet anëtare të bashkimit monetar. Përveç kësaj Franca kërkon të krijojë një organizëm të ri, një Sekretariat koordinimi për zonën e euros, i cili do të drejtonte politikën financiare të shteteve anëtare duke u marrë vesh me Bankën Qendrore Evropiane, por Qeveria gjermane mendon se kjo do të prekte pavarësinë e Bankës Qendrore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›