E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shteti po degradon për interesa të FamiljesNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se Shqipëria është në një krizë të shumanshme dhe shteti po degradon për interesa të Familjes. Rama paralajmëroi protestën e radhës në Lushnjë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Shteti po degradon për interesa të FamiljesNga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se Shqipëria është në një krizë të shumanshme dhe shteti po degradon për interesa të Familjes.

Rama paralajmëroi protestën e radhës në Lushnjë ditën e sotme, pasi rreshtoi arsyet se pse Shqipëria ndodhet në krizë.

“E gjithë kjo problematikë ka në fund të fundit vetëm një burim; faktin që kjo qeveri është zgjedhur nga një parlament që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve; faktin që ky pushtet është një pushtet pa legjitimitetet; një pushtet që ka lindur i degraduar, sepse është ricikluar përmes vjedhjes së votës. Është kjo arsyeja që shumica e shqiptarëve më 28 qershor nuk e votuan dhe nuk investuan për riciklimin e këtij pushteti dhe sot janë të bindur se kjo situatë duhet të ndryshojë. Kjo situatë mund të ndryshojë duke vazhduar beteja për zbardhjen e gjithë maskaradës së 28 qershorit për çmontimin e mekanizmit që riciklon një pushtet të kësaj natyre dhe i jep mundësi këtij lloj pushteti që të sundojë dhe jo të qeverisë dhe për të krijuar kushtet që në Shqipëri të kemi një ndryshim real, të vërtetë dhe rrënjësor. Kjo është edhe arsyeja pse nesër në Lushnjë ne do të vazhdojmë protestat tona”, - tha Rama.

Arka e shtetit vazhdon të jetë bosh

“Kriza ekonomike e financiare që po i prek të gjithë është shprehje kuptimplotë e këtij degradimi. Numri i bizneseve të vogla që falimentojnë e mbyllen apo që janë në prag të falimentimit po rritet, shkalla e papunësisë po shtohet, duke rritur dëshpërimin social. Arka e shtetit vazhdon të jetë bosh, për shkak të zullumeve të pushtetit që vazhdon të zhytet në llumin e korrupsionit. Ky pushtet është sot në borxh ndaj qindra kompanive që janë angazhuar në punë publike dhe janë vënë për arsyet e fushatës që lamë pas nën presionin e paligjshëm të realizimit të punëve me lekët e tyre, ndërkohë që ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë për punën e kryer.”

Pamjet në Dibër dhe Fier tregojnë dështimin e shtetit

“Shqipëria po ndjen përditë e më tepër krizën sociale, varfëria po tërheq përditë në qerthullin e saj familje e komunitete të pambrojtura që nuk arrijnë ta përballojnë më jetesën. Vetëm në këto ditë opinioni është ballafaquar me raste të varfërisë ekstreme, madje me situata çnjerëzore, ku njerëzit trajtohen si në Mesjetë, ndërkohë që shteti nuk ekziston për ta e për të gjithë ata që janë si ata. Pamjet shokuese të Dibrës e Fierit, ku të sëmurë mbaheshin lidhur me zinxhirë, tregojnë, jo vetëm shkallën e patolerueshme të rrënimit moral e social, ku bien përditë shqiptarët, familje e komunitete të pafajshme e të pambrojtura, por në radhë të parë dështimin e plotë të strukturave të një shteti që në fakt i shërben vetëm pushtetit, dhe që ekziston përditë e më shumë vetëm për pushtetin, Pushtetin e një Familjeje.”

Berisha dhe fëmijët e tij duan të kthehen në pronarë të mëdhenj tokash

“Gjatë dy ditëve të fundit, konflikti në Orikum mes Policisë së Shtetit dhe palëve të ndryshme të pronarëve për një pronë në konflikt, tregon se problemet e pronësisë, jo vetëm nuk kanë gjasë të zgjidhen, por në fakt janë kthyer në pengje të një politike qeveritare që synon kthimin e Sali Berishës e të fëmijëve të tij në pronarë të mëdhenj dhe rindarjen e pronave me forcën abuzive të shtetit në favor të Familjes në pushtetet, të klientëve dhe të shërbëtorëve të saj.”

Përgjegjësit për Gërdecin fshihen në qeveri

“Shqipëria përballet sot me krizën më të thellë morale të qeverisjes. Rastet e Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës janë simbole të së keqes që ka mbërthyer, qeverinë, shtetin ligjor e kthyer në vegël të pushtetit të paligjshëm. Tragjedia e Gërdecit vazhdon të hapë plagë për viktima, ndërkohë që përgjegjësit për shpërthimin vrastar strehohen në qeveri dhe mbrohen nga qeveria përsëri që të mos preken interesat e pushtetit të Familjes dhe vetë Familjes.”

Tuneli i Kalimashit po u kushton shqiptarëve edhe 100 milionë USD

“Tuneli i Kalimashit u mbyll për të ashtuquajtura riparime që kapërcejnë shumën 100 milionë euro dhe në fakt i shtohen malit të abuzimit kriminal me Rrugën e Kombit, ndërkohë që përgjegjësit janë gjithashtu të strehuar në qeveri. Madje, jo vetëm nuk dënohen, por vazhdojnë të grabisin në emër të kombit.”

Taçi, policia po mbron interesat e pushtetit të Familjes

“Shqipëria është e zhytur sot në një krizë institucionale. Policia e Shtetit mbron interesat e Pushtetit të Familjes dhe i kundërvihet Policisë Tatimore. Përplasja mes dy policive është një akt i pashembullt turpi për një vend dhe për një shtet, aq më tepër është edhe absurd për një vend si Shqipëria që po troket për të marrë statusin e kandidatit për në BE. Ndërkohë që policia e këtij shteti vihet në mbrojtje të një kompanie që është në borxh me shtetin, është në borxh me Shqipërinë dhe shqiptarët, qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi, që thyen ligjin dhe nuk paguan taksa, duke mbajtur peng financat e shqiptarëve, dhe njëkohësisht duke mos paguar as rrogat e punëtorëve. E atyre punëtorëve që detyrohen të hyjnë me forcë për të mundur të mbijetojnë. Ndërkohë që përgjigjen atyre dhe të gjithëve duhet t’jua japë ligji, t’ua japin institucionet.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›