E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel dhe Eurozona

Kontinenti i vjetër ndodhet në duart e Kancelares. Ajo është e vendosur që të zbatojë rigorozisht një recetë që ka në përbërjen e saj disiplinë dhe masa shtrënguese

Ashtu si në kohët e Republikës Romake, kur Senati mund të vendoste caktimin e një diktatori për të përballuar një krizë të rëndë, tani vendet e Europës së Jugut i kanë kërkuar Gjermanisë për javë të tëra që t’i shpëtojë. Ndërsa vendet e Europës Veriore e kanë tashmë të qartë që Berlini është kyç për sa i përket funksionimit dhe vetë fatit të Eurozonës. Sipas analistëve të ndryshëm financiarë, kriza europiane i ngjan pak a shumë kalimit të Anibalit nëpër Alpe. Në atë kohë, Roma zgjodhi që t’ia besonte fatin e saj Quinto Fabio Massimos, ndërsa sot Europa e ka vënë fatin e saj në duart e Kancelares Merkel. Berlini nuk firmos çeqe të bardha dhe për ndihmën që jep kërkon diçka në këmbim: reformën e Eurozonës sipas rregullave të propozuara prej saj. Pasi ka shqiptuar gjatë gjithë kësaj kohe fjalën “shtrëngim ekonomik”, Kancelarja Merkel synon në mënyrë të drejtpërdrejtë reformimin e Paktit të Stabilitetit dhe gjithmonë dhe vetëm në emër të disiplinës. Por receta gjermane a është vallë më e mira? Dyshimet në këtë drejtim po shtohen.

Më 7 korrik, Luksemburgu mblodhi për të dytën herë task-forcën e kërkuar nga Presidenti i BE-së, pikërisht për të fuqizuar Paktin e Stabilitetit dhe në atë mbledhje Gjermania ishte e vetmja që kishte bërë propozime konkrete për reformim. Propozimet e Gjermanisë ishin të ashpra për sa u përket penalizimeve me të cilat duhet të përballen shtetet që kryejnë shkelje duke filluar që nga humbja e të drejtës së votës e deri tek ajo e ndërprerjes së fondeve strukturore nga BE. Sipas disa burimeve nga Bashkimi Europian, Gjermania është duke bërë si do vetë. Sipas këtyre burimeve, është normale që në momentet e krizave të dalin në sipërfaqe ata që janë më të fortë dhe më të rëndësishëm dhe më të pasur dhe sot nuk ka alternativë tjetër veç asaj që të bëhet siç thotë Berlini. Këto deklarata flasin edhe për një ndryshim të ekuilibrit brenda BE-së. Ndërkohë që Gjermania po vendos kushte, lojtarët e tjerë janë bërë shumë të heshtur: Nikolas Sarkozi nuk po dëgjohet më, Kryeministri spanjoll është i mbytur nga kriza në vendin e tij, Silvio Berluskoni gjithashtu, edhe pse këta dy të fundit nuk është se kanë pasur ndonjëherë ndonjë rol të madh. Për sa i përket David Cameron ai është i ri dhe nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi që do të marrë. Ndërkohë, Komisioni Europian sa vjen e po dobësohet.

Sipas kreut të BE-së, Barroso, duheshin marrë masa shumë më shpejt nga sa ndodhi. Sigurisht që në këtë rast ai ka aluduar për vonesën e Gjermanisë për të vendosur të ndihmonte Greqinë nga situata katastrofale në të cilën ndodhej vendi për shkak të deficitit buxhetor. Sipas shumë funksionarëve të lartë që u morën me çështjen e Greqisë miratimi i paketës së ndihmës erdhi në një moment kur edhe një vonesë prej një minute mund të kishte shkaktuar katastrofën. Sipas tyre, nëse do të ishte vonuar edhe pak Gjermania, pasojat do të kishin qenë të jashtëzakonshme dhe së pari për vetë Gjermaninë që pas Francës është vendi më shumë i ekspozuar ndaj deficitit buxhetor. Po përse e bëri këtë Gjermania? Sipas analistëve e ka bërë në mënyrë të vetëdijshme duke bërë më parë mirë llogaritë. Duket se në Berlin nuk e kishin shumë të qartë se situata me Greqinë ishte më e keqe se ajo me “Lehman Brother” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Merkel dhe ministri i saj i Financave, Schaube, kanë parashtruar pas dhënies së ndihmës Greqisë, një sërë masash të ashpra mes dividendëve, reduktimeve të shpenzimeve buxhetor dhe rregullave të tjera të reja në Eurozonë. Ministri i Financave thotë se arsyeja e këtyre masave është frenimi i ekseseve të spekulatorëve, siguria më e madhe për qytetarët. Në këtë mënyrë, ata kanë nisur në Gjermani një fushatë kursimesh në përfundim të së cilës presin që të kenë hequr mënjanë të paktën 10 miliardë euro deri në fund të vitit 2016. Shumë vetë mendojnë se më në fund Gjermania ndihet e lirë që të bëjë atë që do pas dhjetëvjeçarëve gjatë të cilëve iu desh që të paguante për dëmet financiare dhe të imazhit që trashëguan nga nazistët. Këtë e ka pohuar edhe vetë Merkel në fjalimin e saj të parë, pasi fitoi zgjedhjet e para si Kancelare e vendit në vitin 2005.

Në fund të qershorit do të organizohet takimi i G20 në Otava të Kanadasë dhe aty Merkel do të lançojë idenë për një taksim shtesë të aktiviteteve financiare. Ndërkaq, Kryeministri kanadez ka qenë i pari që ka deklaruar se nuk do të dalë nga kriza financiare duke vendosur taksa të tjera ndaj bankave, apo institucioneve financiare. Një pjesë e analistëve ndërkombëtarë i marrin masat e Merkelit dhe qeverisë së saj si masa që shkaktojnë nervozitet tek investitorët ndërkombëtarë. Ndaj taksës kundër bankave janë rreshtuar tashmë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretari i Thesarit, Geithner, në vizitën e fundit që bëri në Gjermani në kuadrin e një turneu në Azi dhe në Europë e shprehu me pak fjalë qëndrimin kundër një mase të tillë. Në fakt, gjatë takimit mes Geithner dhe ministrit gjerman të Financave doli në pah ehe mënyra e ndryshme e të menduarit dhe të vepruarit që kanë në lidhje me daljen nga kriza Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Janë kontradikta që në fakt janë vënë re që me shpërthimin e krizës financiare. Ndërkohë që amerikanët ishin pro futjes së likuiditeteve në institucionet financiare në krizë, Gjermania ishte pro shtrëngimit dhe rritjes së kontrollit të institucioneve mbikëqyrëse.

Ndërsa amerikanët i marrin gjërat shkallë-shkallë, Merkel kërkon që gjermanët, por edhe vendet e tjera europiane të nxjerrin mësimet e duhura nga kriza dhe këtë ta bëjnë përmes sakrifikimit. Siaps Merkelit, euroja duhet që të luftojë për mbijetesë jo vetëm duke i mbajtur larg “fantazmat” e spekulatorëve, por edhe duke u përqendruar te bilancet më solide. çështja është se për vite me radhë europianoperëndimorët kanë bërë një jetë jashtë mundësive të tyre reale financiare duke u zhytur gjithnjë e më tepër në një situatë borxhi personal dhe shtetëror. Por sipas disa specialistëve jo gjithmonë situata zgjidhet përmes dietave, për më tepër kur bëhet fjalë për një situatë besueshmërie.

Sipas disa analistëve financiarë, ajo që duhet bërë është se problemi përveç Greqisë qëndron edhe te Portugalia, Spanja apo Irlanda dhe bëhet fjalë për shpërthimin e borxhit privat që është bërë tashmë borxh publik. Ndaj, sipas tyre, një nga mënyrat e daljes nga situata është edhe kontrolli i vazhdueshëm i borxhit privat dhe eliminimi i dizekuilibrave dhe bilanceve negative nga zona e euros. Këtë gjë duket se Merkel nuk ka ndërmend që ta bëjë, të paktën në aspektin që ka të bëjë me shtimin e konsumit të brendshëm të Gjermanisë. Ndaj reformës Së Paktit të Stabilitetit, Merkel është me të vërtetë e patolerueshme. Mendohet se ajo që do të ndodhë është se sanksionet dhe penalizimet për shtetet që shkelin rregullat e lojës brenda Eurozoës do të jenë, por jo të përmasave të kërkuara nga Merkel dhe qeveria e saj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›