Shëndetësi, shefat e shërbimit, kritere të reja përzgjedhje
Shefat e shërbimeve në qendrat shëndetësore universitare do të kenë sistem të ri përzgjedhje, ndryshe nga sa është aplikuar deri më sot. Të dhënat për ndryshim të procedurave u bënë publike dhe të njohura për ta që me draftin e parë të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”, megjithatë më konkretisht për risitë e sistemit përzgjedhës janë bërë në mbledhjen e fundit të Task Forcës së Shëndetësisë. Sipas specialistëve të këtij grupi, që thurin e diskutojnë politika për sistemin shëndetësor dhe çështjet e lidhura ngushtë me këtë sektor, shefat e shërbimeve, të cilët janë njëkohësisht edhe profesorë të Fakultetit të Mjekësisë, do të përzgjidhen sipas kushteve e kritereve të reja. Në takimin e radhës së Task Forcës për Shëndetësinë, kryesuar edhe nga Kryeministri Sali Berisha, çështja kryesore e diskutimit ishte Fakulteti i Mjekësisë dhe reformimi i tij.
Fakulteti i Mjekësisë është i lidhur ngushtë edhe me punën në qendrat spitalore universitare, aty nga vijnë shumica e profesorëve, ku kryejnë një pjesë të thellimit të studimeve dhe realizojnë stazhin të gjithë studentët që ndjekin formimin në një nga departamentet e këtij institucioni përgatitës. Në kuadër të thellimit të reformave në sistem, u diskutua roli i veçantë që kanë shefat e klinikave jo vetëm në diagnostikimin e trajtimin të pacientëve, por dhe në kërkimin shkencor, në përgatitjen e studentëve e stafeve, si dhe në menaxhimin e sektorit që ata drejtojnë. Sipas Task Forcës, përzgjedhja e tyre duhet bërë konform kërkesave në rritje të kohës dhe standardeve më të larta.
Pas diskutimeve të gjëra u përcaktuan mekanizmat e zgjedhjes së shefave të klinikave, u vendos që ky proces t’i nënshtrohet konkurrimit të hapur e ndërkombëtar, si dhe shqyrtimit në komisionet e ngritura për këtë qëllim. Vendimi përfundimtar do të merret nga një bord i posaçëm. Sa i takon pjesëve specifike e modaliteteve të detajuara që duhen ndjekur, të interesuarit për të mbajtur postin, apo të tjerë të cilët do të kenë ambicie për të konkurruar duhet të presin deri në përgatitjen e draftit përfundimtar të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”, për pjesën e institucioneve të arsimit të lartë, pika e mësimdhënies. Në draftin e parë, që nuk është pranuar edhe nga profesorati i Fakultetit të Mjekësisë, u kërkua që shefat e shërbimit për të konkurruar mjafton të kishin titullin “profesor i asociuar” apo një gradë të fituar në universitetet jashtë vendit.
#