Katër djem të zakonshëm që më pas u bënë Beatles
Shkëmbimet e batutave, të bëra publike për herë të parë, dhurojnë fotografinë e pastër të marrëdhënieve dhe ekuilibrave brenda grupit: katër djem me një krijimtari të jashtëzakonshme, që arrijnë të organizohen në çfarëdo lloj rrethane. Regjistruesit, telekamerat dhe aparatet fotografike kanë qenë “miqtë” e pandarë të grupit. Histori të pathëna që ndërthuren me probleme parash dhe raporte sentimentale obsesive.
“Isha në turne me ‘Beatles’ në ditët kur jeta e tyre dhe historia e muzikës së tyre ndryshoi përgjithmonë”. 63-vjeçarit Paul Berriff, i dridhet zëri nga emocionet. Sot ai merret me dokumentarët e BBC-së. Berriff kujton me nostalgji momentet e atyre ditëve të magjishme të viteve 1963-’64. Kur ishte 16 vjeç Berriff ëndërronte të bëhej fotoreporteri më i mirë i Yorkshire. “Doja të që përmes objektivit të vogël të fiksoja momentet e veçanta të njerëzve të famshëm”, thotë duke buzëqeshur ai. Por në fakt, ja si shkuan gjërat: “Kryeredaktori i një të përditshmeje vendase më tha t’u qepesha nga pas disa djemve të cilët luanin një lloj të veçantë muzike me kitara elektrike. ‘E quajnë muzikë pop, nuk e kam idenë se çfarë është’, më tha ia”. Kështu Berriff u gjend në orën pesë të pasdites të dy nëntorit të vitit 1963 mes mureve të ftohta të bashkisë së qytetit së Sheffield-it. “Papritur pashë katër djem me balluket mbi sy, me kostume klasike të stinës, që hynë me hap të shpejtë. Kishin mollëza të kuqe dhe duart të mavijosura. Nga pas nuk kishin as truprojë dhe as menaxher. Vetëm dy policë të zonës që të sillnin ndërmend çiftin simpatik të dy djemve, Stelio dhe Olio. ‘Me qetësi, tani do të ndërrohemi për fotot. Fjetëm në furgonin tonë, i cili nuk është aspak i rehatshëm dhe çlodhës’, shpjegon me pak fjalë John Lennon”.
Ato fotografi të realizuara në Sheffield dhe në disa teatro të ndryshëm të Yorkshire-s, janë publikuar ekskluzivisht sot, pas 47 vjetësh. “E dija që kisha disa filma të cilët nuk i kisha larë. I rigjeta para disa javësh në një kuti të vogël të vendosur në papafingo pas shumë vitesh kërkimi”, tregon Berriff. “Por le të rikthehemi dhe një herë në Sheffild: pas 30 minutash pritjeje, George Harrison, më bëri shenjë që të shkoja në dhomën ku qëndronin. Ndërruan pantallonat dhe xhaketat, por jo këpucët e pista. ‘Këto janë palët e vetme të këpucëve të hajrit që kemi’, rrëfeu Paul McCartney, ndërsa rrëmonte nëpër xhepa për ndonjë cigare. Pas kurrizit të tij, Ringo dhe George filluan të gjuanin njëri-tjetrin me kokoshka. Brenda dhjetë sekondave në dhomë u krijua një re e madhe kokoshkash, po ashtu edhe mbi kokën e John-it”.
Detaje të padëgjuara ndonjëherë: ndërkohë që në botë shpërtheu “beatles-mania”, John, Paul, Ringo dhe George udhëtonin nëpër Britani, si një grup muzikor që nuk merreshin seriozisht nga vendasit. “Imagjinoni skenën: një fotograf 16-vjeçar, të cilit sapo i ka mbirë qimja, këmbëngulte t’i fotografonte. ‘Djem tani vendosuni njëri pas tjetrit sikur të ishit vagonë treni. Paul, mjaft qeshe; John largoji flokët nga sytë; George, ndiz një cigare!”. Nuk kishin asnjë zëdhënës për shtyp dhe menaxher të vërtetë që organizonte itinerarin e tyre’”.
Madje edhe provat përpara shfaqjeve ishin të paorganizuara dhe të rastësishme. “Një ditë pas largimit nga Sheffild-i, në Leeds, vendosën të eksperimentonin një këngë të re: ‘I want to hold your hand’. Në sallë ishim vetëm unë dhe e fejuara ime. Ata këndonin dhe bënin shaka, duke boshatisur me dhjetëra shishe ‘Coca-Cola’. Kombinimi i zërave të tyre dhe këndimi në kor stononte tmerrësisht. Qëllimi ishte perfeksionimi i këndimit në kor. Por më e bukura ishte se pas disa minutash në teatër u shfaqën dhjetë infermiere të veshura me bluza të bardha: ‘Na lajmëruan për ‘Beatles’. Dhe John tha: ‘Më falni vajza, por nuk kam nevojë të më matni temperaturën’’”.
Në të vërtetë ishin aty si fanse, ose më saktë ishin fanset e tyre. “Në sallë, në Leeds, nuk kishte burra, por vetëm gra të heshtura për 10 sekonda para nisjes së shfaqjes”, kujton Berriff. “Pastaj shpërtheu deliri. Nga mesi i sallës ku ishin ulur, ishte pothuajse e pamundur të merrje vesh qoftë edhe një notë të vetme. Nga fonia dëgjoheshin vetëm britma histerike, të qara dhe ngashërime të adoleshenteve të pranishme të cilave u binte të fikët. Në fund të shfaqjes George më pyeti: ‘Nga u frymëzove që shkrove këngën ‘I want to hold your hand?’. Ndërsa unë iu përgjigja: ‘Janë bashkëtingëllore buzore të këngës’. ‘Komplimente’, tha ai duke më buzëqeshur”.
#