E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti i Mjekësisë në universitet shëndetësie

Gati projekti i ndryshimeve, kërkohen prurje dhe shumim i stafit akademik. Do të vlerësohen të arsimuarit jashtë

Në kuadrin e reformave të shëndetësisë, mbështetet edhe një projekt ambicioz, si për arsimin, ashtu edhe për fushën e shëndetësisë. Për vite me radhë, ky projekt është diskutuar, por vetëm këtë vit janë vendosur konkretisht pikat mbi “i”. Bëhet fjalë për shndërrimin e Fakultetit të Mjekësisë në universitetin e shëndetësisë. Lidhur me këtë çështje, po merret jo vetëm Ministria e Arsimit dhe Fakulteti i Mjekësisë, por edhe Task Forca e Mjekësisë, me përbërje specialistë të fushës, nën hyqmin e Kryeministrit. Në mbledhjen e fundit të këtij grupi specialistësh është diskutuar me prioritet reforma që pritet të përfshijë këtë fakultet që aktualisht është nën administrimin e Universitetit të Tiranës. Sipas ekspertëve të mjekësisë, tërësia e këtyre hapave që po ndërmerren është në funksion të krijimit të universitetit të shëndetësisë, përgatitjes sa më të mirë të studentëve, mjekëve e personelit, ngritjes së nivelit kurativ e shkencor të klinikave e laboratorëve, me qëllim final përmirësimin e kujdesit shëndetësor për popullatën. Në lidhje me kurrikulat e lëndëve që studiohen në dy vitet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, u vendos që krahas lëndëve të detyruara, të përcaktohen edhe lëndët me zgjedhje. “Lëndët me zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të nxitur talentin dhe dëshirat e studentëve, për t’u krijuar atyre mundësitë për thellimin e dijeve dhe të kërkimit shkencor në ato disiplina, për të cilat ata kanë krijuar preferencat më të mëdha gjatë viteve të studimit”, u shpreh Kryeministri Berisha, mes kolegësh, në mbledhjen me Task Forcën e Shëndetësisë.

Sipas Kryeministrit, reformat duhet të përfillin interesat, ëndrrat dhe opinionet e studentëve në çdo fushë të arsimit të lartë. Berisha i kërkoi ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, që lëndët me të drejtë zgjedhjeje të shtrihen në çdo degë, edhe në fakultetet e tjera, në programe masteri apo doktoraturë.
Më tej, në këtë Task Forcë, u diskutua çështja e rekrutimit të pedagogëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, rritjes së numrit të tyre, në mënyrë që raporti pedagog-studentë t’i afrohet vendeve të OECD-së.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›