E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel dhe Sarkozy dakord per rikapitalizimin e bankave te eurozones

Udhëheqesit gjerman dhe francez do të propozojnë "ndryshime të rëndësishme" për mënyrën e kontrollit të krizës së borxheve në bllokun e eurozonës. Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Nikolas Sarkozi thanë se qëllimi ishte arritja e një bashkëpunimi edhe më të ngushte dhe të detyrueshëm ekonomik e financiar mes vendeve të bashkimit europian.

Udhëheqësit thanë se do të japin detaje të mëtejshme të marrëveshjeve të arritura gjatë takimit në Berlin në fund të muajit tetor kur është planifikuar të mbahet samiti i BE-së. Kombet janë të vendosur të bëjnë ç’të jetë e mevojshme për të siguruar rikapitalizimin e bankave të Unionit, tha Mekel.

Ndërsa në shumë pika dy ekonomitë më të forta të Eurozones janë dakord, në lidhje me fondin e shpëtimit të eurozonës kanë qëndrime të ndryshme.  Ndërsa Parisi beson se duhet përdorur fondi i shpëtimit për rikapitalizimin e bankave, Gjermania mendon se fondi duhet të përdoret si mjeti i fundit i shpëtimit.

Duke folur pas bisedimeve në Berlin, Sarkozy tha se "nuk ishte momenti" për të shkuar në detaje të marrëveshjes, por e rëndësishme ishte marrëveshja Franko-Gjermane në total. "Ne jemi shumë të vetëdijshëm se Franca dhe Gjermania kanë një përgjegjësi të veçantë për të stabilizuar euron. Ne duhet të japë një përgjigje që të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse", tha Sarkozy.

Udhëheqësit thanë se paketa e propozimeve të tyre do të përfshijë një plan për rikapitalizim e bankave evropiane, duke përshpejtuar koordinimin ekonomik në eurozonë. Pjesë e paketës së propozimeve franko-gjermane do të jenë edhe problemet që kanë të bëjnë me borxhin e Greqisë.

Kancelarja Merkel ka këmbëngulur se Samiti i 17-18 tetorit duhet të dërgojë një sinjal të qartë si një përpjekje për të rivendosur besimin e tregut. Merkel këmbënguli se gjatë kësaj javë që vjen eurozona nuk duhet të hezitoje të forcojë bankat e saj, nëse ekspertet dalin në përfundimin se rikapitalizimi i tyre është i nevojshëm.

Nëse kjo nuk bëhet do të përballemi me dëme shumë të larta tha Merkel. Një nga temat kryesore që u diskutua në takimin e dy liderve ishte plani për shpëtimin e Bankës Franko-Belge, Dexia, e cila mendohet se është edhe viktima e parë e krizës së borxheve në Europë.
Gjatë të dielës qeveritë e Francës, Belgjikës dhe Luksemburgut thanë se kishin rënë dakord për të ndërmarrë një plan shpëtimi për bankën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›