Merkel nën presion nga Bundesbank dhe partia motër CDU
Propozimi
Për dhënien e më shumë kompetencave Bankës Qendrore Europiane
Angela Merkel është nën një presion gjithnjë e më të madh nga Bundesbank, banka qendrore gjermane dhe Partia e saj motër Kristian-Demokrate për të bllokuar planet që e shndërrojnë Bankën Qendrore Europiane në një mbikëqyrëse të unionit bankar të Eurozonës.
Në takimin e qershorit, liderët e Bashkimit Europian treguan se ishte arritur një marrëveshje për krijimin e një unioni bankar të vendeve të Eurozonës që do të mbikëqyren në mënyrë të hollësishme nga Banka Qendrore Europiane. Kjo do të thotë që në një rast të tillë, bankat në fjalë do ta humbitnin shumë pavarësinë dhe vetë Banka Qendrore Europiane do ta zgjeronte hapësirën e saj të veprimit. Në mesin e shtatorit do të paraqitet edhe propozimi ligjor, në bazë të të cilit do të kryhet edhe ndryshimi. Megjithatë, edhe pse data e paraqitjes së bazës ligjore po afron, Kancelarja gjermane, Merkel, e cila është një nga ideatoret dhe mbështetëset e një ndryshimi të tillë, ndodhet në një presion të madh nga ato institucione financiare dhe politike brenda vendit të saj, që janë kundër një sipërmarrjeje dhe një ndryshimi të tillë. Pra, që janë kundër ndryshimit dhe zgjerimit të rolit të Bankës Qendrore Europiane.
Kështu kanë nisur presione kryesisht nga Banka Qendrore gjermane dhe nga partia motër e partisë së Merkelit, bavarezët kristian-demokratë. Të dielën, shefi i madh i kësaj partie, Alexander Dobrindt, e akuzoi presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, se po tentonte të dilte nga pozicioni që kishte në bankë dhe kërkonte të shtinte në dorë shumë më tepër nga sa e lejonin kompetencat e veta dhe të bankës ndaj bankave të tjera dhe ndaj politikave të tyre buxhetore në përgjithësi. Sipas bavarezit, po tentohet të ndërmerren financime të borxheve të vendeve që janë të zhytura në borxhe përmes gjetjes së një mënyre të tërthortë. Edhe pjesa më kryesore e grupit të Bundesbankës është kundër një veprimi të tillë, duke sinkronizuar zërat me kristian-demokratët. Sipas arsyetimeve të tyre, mënyra e re që kërkohet do të krijonte konflikte interesi dhe do të shkelte elementet bazë të qeverisjes dhe marrëdhënies së një banke me bankat e tjera. Zgjerimi i kompetencave të Bankës Qendrore Europiane dhe mbi të gjitha blerja e bonove të vendeve në krizë është një nga elementet e rëndësishme në lindjen e kontradiktave mes financuesve të lartë, madje edhe mes vetë Bankës Qendrore Europiane.
Merkel nën presion nga Bundesbank dhe partia motër CDU burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip