E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel refuzon eurobonot: Sbëhet, sa të jem unë gjallë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka refuzuar fort politikën e eurobonove dhe borxheve të përbashkëta, duke deklaruar se nuk do të ketë eurobono, sa të jem unë gjallë. Për idenë e aplikimit të eurobonove, të diskutuar kohë më parë nga liderët e vendeve të tjera të BE-së, Merkeli i druhet faktit se kështu Gjermanisë do ti duhet të paguajë për të gjithë. Ideja u diskutua edhe në takimin e Merkel në Romë me tre liderët e ekonomive më të mëdha të zonës, Presidentin francez Fransua Holande, Kryeministrin italian Mario Monti dhe Kryeministrin spanjoll Mariano Raroy. Merkel e ka refuzuar nxitjen e fundit për borxh të përbashkët, si një mënyrë për zgjidhjen e krizës së vazhdueshme në eurozonë. Në një fjalim përpara Parlamentit gjerman, ajo tha se prezantimi i eurobonove do të ishte ekonomikisht i gabuar dhe antiproduktiv. Pak përpara Samitit të BE-së ku do të diskutohet për krizën, Merkel mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin francez, Fransua Holande, ku të dy ranë dakord se nuk ka një zgjidhje shumë të shpejtë, por BE duhet të veprojë drejt një unioni monetar më të thellë.
Krahasimi
Një gazetë gjermane e ka krahasuar krizën e eurozonës me periudhën e viteve 1930, e cila solli në pushtet Hitlerin, nazizmin dhe Luftën e Dytë Botërore. Gazeta konservatore e këtij vendi, Die Welt, bën krahasime me periudhën e errët të 80 viteve më parë. Spektri i krizës financiare që kulmoi me ngritjen e partisë naziste të Adolf Hitlerit dhe Luftën e Dytë Botërore, po ngacmon Europën, thuhet në shkrim. Në maj të vitit 1931, Creditanstalt, e themeluar në Vjenë nga dinastia bankare Rothschild, falimentoi. Rënia e saj pas një problemi që nuk gjeti zgjidhje me një rival, nisi një krizë që e la Gjermaninë dhe Europën Qendrore me banka të falimentuara dhe shkaktoi falimentime në Europë dhe Amerikën Latine. Efekti u ndje edhe në standardet botërore të floririt dhe politikat e Rezervave Federale në SHBA. Evald Nouotny, guvernator i Bankës Qendrore Austriake, tha në një konferencë në Vjenë këtë javë se: Kur nisi kriza e madhe në periudhën 2007 dhe 2008, sinqerisht ky mendim vërtitej tek të gjithë ne, çdo guvernator banke qendrore mendonte se duhej të evitoheshin gabimet e viteve 30″.

Letra e Samaras
Kryeministri grek, Antonis Samaras, ka shkruar letra drejtuar Presidentit të KiE Herman van Rompuj, presidentit të KE Hose Manuel Barroso dhe 26 udhëheqësve të vendeve të tjera të BE-së. Letra do të dorëzohet nga Presidenti grek, Karolos Papulias, i cili udhëheq delegacionin për samitin e 28-29 qershorit. Samaras shkruan se vendimi i popullit grek dëshmoi me votë vendosmërinë për të qëndruar në euro.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›