SHBA, shpallet gjendja e “fatkeqësisë natyrore” në Kolorado

Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, ka shpallur gjendjen e “fatkeqësisë natyrore” në shtetin perëndimor të Kolorados, ku zjarret kanë shkatërruar 346 shtëpi, ndërsa janë evakuuar afro 35 mijë banorë.
Kështu pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë, autoritetet në Kolorado mund t`i shfrytëzojnë fondet federale të Shteteve të Bashkuara për ballafaqim me krizën.
Zyrtarët thanë se të paktën një person ka humbur jetën nga zjarret afër Kolorado Springsit.
Këto zjarre janë përshkruar si më të rrezikshmet dhe shkatërruese, që kanë goditur pjesën perëndimore të Amerikës me dekada, ndërsa është përfshirë një territor prej 67 kilometrash katrorë.
Autoritetet thonë se po zhvillohen hetime lidhur me shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri.