E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e Europës Juglindore: Të ndryshohen nenet antimedia

Kodi i ri Penal, i miratuar në Kuvendin e Kosovës bashkë me disa ligje kundërthënëse që kufizojnë lirinë e medias dhe të fjalës, ka marrë kritika nga politikanë të shumtë, por edhe nga Organizata për Mediat e Evropës Juglindore, SEEMO, me seli në Vjenë. SEEMO ka shprehur keqardhjen për vendimin e Kuvendit të Kosovës, që të mbajë nenet aspak miqësore për mediat në Kodin e ri Penal. Kjo ishte hera e dytë gjatë dy muajve të fundit që Parlamenti ka votuar në favor të neneve të cilat detyrojnë gazetarët që të mbajnë përgjegjësi personale, në rast se nuk  zbulojnë burimet e tyre. Sipas SEEMO, deputetët nuk treguan kujdes ndaj rekomandimeve vendëse dhe ndërkombëtare lidhur me dekriminalizimin e shpifjes. Politikanët e Kosovës pretendojnë se anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektiv i tyre, tha sekretari i përgjithshëm i organizatës, SEEMO, Oliver Vujoviç. Me qëllim që të bëhet anëtare e BE-së, Kosova duhet ti miratojë dhe respektojë ligjet europiane dhe ti pranojë standardet ndërkombëtare në të gjitha fushat, përfshirë edhe mediat, tha Vujoviç, duke i cilësuar mediat si themel të demokracisë. Ai tha se shpreson që, në të ardhmen e afërt, deputetët e Kosovës ta rishqyrtojnë vendimin e tyre lidhur me amendamentet dhe ta mbështesin shtypin e lirë në Kosovë. Nenet 37, 38 dhe 39 janë kritikuar edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe qeveria Thaçi. Kryeministri Thaçi, pas miratimit të këtij Kodi në Kuvend, tha se ndihej i turpëruar që ligjvënësit e Kosovës e kishin hedhur këtë hap pas në demokraci. Qeveria e Kosovës i ka refuzuar tri nenet dhe ka nisur punën për ndryshimin e tyre, edhe pse ky proces pritet të zgjasë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Bogdanoviç
Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bodanoviç, do të arrestohet nëse të enjten hyn në Kosovë për festën e Vidovdanit. Deklarata u bë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Sipas tij, Bogdanoviçit i është ndaluar hyrja pasi nuk u është përmbajtur rregullave në vizitat e mëparshme, ku ka mbajtur fjalime politike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›