E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani kërcënon sërish se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit

Rreth 40% e naftës së tregtuar në transportin detar në botë, kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me oqeanin Indian dhe që kufizohet me Iranin e Omanin. Irani kërcënon se do ta mbyllë këtë rrugëkalim. Çdo mbyllje e kësaj rruge detare strategjike do të sillte ngritjen e çmimeve të naftës dhe do të kishte një ndikim të dukshëm në ekonominë globale. Tashmë një ndër vendet prodhuese të naftës në Gjirin Persik thotë se ka hapur një rrugë tjetër. Në fillim të këtij muaji, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se një tubacion i ri për transportimin e naftës, i aftë të tërheqë rreth 1.5 milion fuçi nafte në ditë nga fushat naftëmbajtëse të Abhu Dabit deri në brigjet e Oqenit Indian, do të futet në punë brenda muajit qershor.

Emiratet prodhojnë faktikisht rreth 2.5 milionë fuçi në ditë. Specialisti i çështjeve të naftës në Kuvait Mousa Arafi tha se prodhues të tjerë të Gjirit duhet të nisin projekte të ngjashme. Ndërkaq Irani është zotuar se do të mbyllë “përfundimisht” Ngushticën e Hormuzit nëse do të vendosen sanksione të reja ndaj programit të tij bërthamor që e ndalojnë atë të shesë naftën bruto jashtë vendit. Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione më të ashpra kundër Iranit, duke shpresuar se lëvizje të tilla do ta detyrojnë këtë vend të braktisë programin e tij bërthamor.

Perëndimi beson se programi i Iranit ka si qëllim prodhimin e armëve bërthamore, por Teherani këmbëngul se ky program është vetëm për qëllime paqësore. Bashkimi Evropian ra dakort që të vendoset embrago ndaj naftës iraniane që nga muaji korrik. Ky hap pason sanksione të ngjashme për të cilat kanë rënë dakord edhe Shtetet e Bashkuara. Analistë të tjerë thonë se Irani është ai që do të vuajë më shumë nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit. Iraniantë janë të varur nga shkëmbimet tregtare në këtë ngushticë. Nën peshën e sanksioneve të fundit, Irani ka përjetuar inflacion të menjëhershëm dhe zhvlerësim të monedhës. Aktualisht, rreth 17 milionë fuçi nafte kalojnë çdo ditë në Ngushticën e Hormuzit ndërsa një luftanije amerikane patrullon në ujrat e zonës për të siguruar trasnportin e sigurt të naftës.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›