E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel vs Steinmeier, dy pretendentët për herë të parë në ekran

Dje në darkë, dy përfaqësuesit e partive kryesore në Gjermani, që pretendojnë edhe postin e Kancelarit të vendit, kanë dalë në debatin e parë televiziv. Përballë njëri-tjetrit janë vënë Angela Merkel, aktualisht Kancelare dhe shefe e Partisë Kristian Demokrate dhe rivali i saj kryesor Frank Walter Steinmeier, përfaqësues i Partisë Socialdemokrate. Debati ka zgjatur 90 minuta dhe thuhet se është ndjekur nga 20 milionë gjermanë. Deri më tani rezultatet e sondazheve publike nxjerrin Merkelin fitimtaren e këtyre zgjedhjeve, pra bllokun e qendrës së djathtë, që do të marrë më shumë vota dhe do të sigurojë një tjetër mandat në pushtet. Megjithatë, edhe kundërshtari i saj ka punuar shumë me të gjitha mënyrat për t‘ia ngritur kuotimin partisë së tij, edhe pse e ka ditur mirë se nuk i ka pasur shanset këtë herë. Të dy kandidatët nuk janë aspak karizmatikë, ndaj edhe debati nuk është karakterizuar nga ndonjë zhvillim i papritur, apo ndonjë ulje-ngritje me shumë interes. Por ajo çka është interesante, është fakti se dy kandidatët që kanë punuar deri më tani së bashku, njëra si Kancelare e tjetri si ministër i Jashtëm dhe ndërsa në mbledhjet e kabinetit i kanë fërkuar shpinën njëri-tjetrit, në fushatën zgjedhore nuk kanë lënë gjë pa thënë po për njëri-tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›