E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mero Baze, padi në Prokurori Ahmet Matoshit

Dje, gazetari Baze i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, ku ka depozituar një kallëzim penal ndaj drejtorit të ruajtjes së objekteve, Ahmet Matoshi. Botuesi i “Tema” e akuzon Matoshin për pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës 

TIRANE-Konflikti mes qeverisë dhe botuesit të gazetës “Tema”, Mero Baze, thellohet dhe më tej. Dje, gazetari Baze i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, ku ka depozituar një kallëzim penal ndaj drejtorit të ruajtjes së objekteve, Ahmet Matoshi. Botuesi i “Tema” e akuzon Matoshin për pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës, shkelje të Kushtetutës dhe privim nga prona private. Ai pretendon se me veprimet e tij, Matoshi ka shkelur ligjet, pasi në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka tentuar të bllokojë ambientet e gazetës dhe të mos lejojë gazetarët të hyjnë në redaksi. Sërish dje policia nuk ka lejuar gazetarët të hyjnë në mjediset e gazetës. Këta të fundit kanë qëndruar për orë të tëra para gardhit të policëve, por pa mundur të ulen në vendet e tyre të punës.
Kallëzimi
Drejtori i ruajtjes së objekteve, Ahmet Matoshi, është përplasur me botuesin e “Tema”, Mero Baze, të cilin së bashku me gazetarët nuk e ka lejuar të hyjë në redaksi, me argumentimin se objekti që kishin marrë me qira është shpallur objekt i rëndësisë së veçantë, pasi aty do të shtypen letërnjoftimet dhe pasaportat e reja. Në këtë mënyrë, gazetari Baze, që ka sulmuar mjaft kohët e fundit Kryeministrin Sali Berisha, i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës duke bërë kallëzim penal ndaj Matoshit. Sipas Bazes, drejtori i ruajtjes së objekteve po shkel ligjin me të dyja këmbët dhe po pengon ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Botuesi i “Tema”, i cilëson të paligjshme, antiligjore dhe me prapavijë politike veprimet e policisë, për shkakun se Gjykata e Tiranës ka vendosur të pezullojë çdo veprim derisa të dalë me një vendim përfundimtar.
Përplasja
Prishja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Ekonomisë, që e detyronte botuesin e gazetës “Tema” të linte menjëherë ambientet e ish-tipografisë ushtarake, krijoi dhe përplasjen mes palëve. Ministria pretendon se objekti është shpallur i rëndësisë së veçantë, për shkak se do të prodhohen kartat e identitetit dhe për pasojë, gazeta “Tema” duhet të largohet prej andej. Gazetari Baze iu drejtua Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi në favor të tij. Por, pavarësisht kësaj, prej tri ditësh gazetarët e “Tema” dhe botuesi i saj, Baze nuk lejohen nga policia të hyjnë në redaksi. Baze e cilëson vendimin e qeverisë si një hakmarrje personale e Kryeministrit Berisha për shkak të shkrimeve kritike të botuara në këtë gazetë. Gazetarët kanë protestuar, por sërish nuk kanë mundur të ulen para kompjuterave të tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›