E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu për Gërdecin: Drejtësia të mos varet nga politika

Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzon Prokuroren e Përgjithshme për ndikim politik në hetimin për Gërdecin. 10 muaj pas shpërthimit tragjik Mediu kërkon përfundim të hetimeve. 

TIRANE- 10 muaj pas tragjedisë së Gërdecit dhe kur ende organi akuzës nuk ka vendosur gishtin mbi ndonjë zyrtarë të lartë, ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, akuzon për hetime të bazuara mbi interesa politike. Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha Mediu ka sulmuar Prokuroren e Përgjithshme për mungesë veprimi.

“Pasojat e ngjarjes ishin tragjike, të cilat ndodhën jashtë çdo lloj veprimi me dashje të kujdo. Unë bëra cdo gjë që kisha në dorë për të zbardhur të vërtetën apo për ti hapur rrugë drejtësisë është radha që drejtësia të veprojë si e tillë dhe jo si mekanizëm politik interesash, që nuk i intereson e vërteta, por bëhet vegël në dorë të individëve apo qëllimeve politike”, u shpreh ish Ministri Mediu në fjalën e tij.

Në Asamblenë e Republikanëve Fatmir Mediu ripërsëriti kërkesën për zgjidhjen e çështies së pronës, duke hedhur për zgjidhje disa pika siç janë edhe fondi në të ardhura që do të përdoret për dëmshpërblim.

“Duhet patjetër, pa vonesë kthimi i pronave te pronari i ligjshëm, nga kjo kërkesë duhet që Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të marrë autoritet të drejtpërdrejt mbi të gjitha pronat që janë në Shqipëri dhe sidomos ato që disponohen nga institucionet shtetërore, të cilat grabiten ose lihen në mëshirë të fatit”, u shpreh Mediu.

Partia Republikane e ka vendosur të dalë tashmë në zgjedhje në koalicion me partine më të madhe në pushtet, por ndryshe nga herët e tjera vota do të kërkohet për siglën përkatëse të forcës politike. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›