Merr gjakun e babait, godet për vdekje fqinjën
Hakmarrja/ Vrasja e babait të autores në vitin 1997 sjell krimin 13 vjet më pas. Policia arreston 37-vjeçaren që e pranoi menjëherë krimin e kryer.
Fëmijët e dy familjeve mbeten jetimë. Kryefamiljarët ndodhen të dy në burg, njëri për vrasje, tjetri për armëmbajtje pa leje
ELBASAN - Godet për vdekje fqinjën me levë për tu hakmarrë për vrasjen e babait të saj nga bashkëshorti i viktimës.
\gjarja ka ndodhur rreth orës 17:50 kur Antoneta Hysa, 37 vjeç, ka goditur fqinjën e saj Esma Xibraku 45 vjeç me banim rreth 100 metra larg shtëpisë së autores së krimit. Hysa e kishte thirrur fqinjën e saj për një sqarim, por gjatë debatit që kanë bërë ajo ka marrë levën dhe e ka goditur në kokë.
Kanë qenë fëmijët që kanë zbuluar vrasjen e tmerrshme. Aktualisht nuk përcaktohet si krim me paramendim por sipas policies, shkaku i të gjithë ngjarjes ishte një krim i vjetër për të cilin bashkëshorti i viktimës vuante dënimin.
Sulmet dhe sherret mes dy familjeve vazhdonin prej vitesh, por së fundi ishin bërë më të mprehta dhe shkaku vinte nga viti 1997 kur bashkëshorti i Esma Xibrakut kishte vrarë me armë zjarri të atin e Antoneta Hysës.
Ndërkohë, si rezultat i këtij konflikti mësohet se familja Hysa kishte edhe një armë automatike të cilën policia e kishte sekuestruar dy ditë më parë gjatë një kontrolli të befasishëm në shtëpinë e autores së krimit të djeshëm.
Besim Hysa ishte arrestuar për "armëmbajtje" dhe pikërisht gjatë qëndrimit të tij në qeli është regjistruar edhe krimi i vrasjes nga bashkëshortja e tij.
Policia
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se menjëherë pas njoftimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur të vrarë në një dhomë me levë shtetasen Esma Xibraku, 45 vjeç. Nga informacionet e grumbulluara mësohet se shtetasja Antoneta Hysa është autorja e krimit dhe është arrestuar teksa po largohej në pjesën e ullishtës së fshatit.
Gruaja pasi është arrestuar ka pranuar krimin e vrasjes. Ajo ka thenë se e vrau, sepse fatkeqësitë e familjes së saj kishin ardhur pikërisht nga familja e viktimës.
Policia deklaron se vrasja është kryer për hakmarrje. Njëkohësisht policia deklaron se dy ditë më parë është arrestuar bashkëshorti i autores së krimit, i cili mbante një armë tip kallashnikov. Shkak i kontrolleve të policisë ka qenë një grindje që dy familjet kishin pasur më parë.
Policia ka marrë informacion për ekzistencën e një arme që mund të sillte pasoja më të rënda për konfliktin e lindur mes tyre dhe ka kryer kontrollin duke arrestuar edhe zotëruesin e kallashnikovit.
Fëmijë pa prindër
Fëmijët e dy familjeve, në gjendje tronditjeje psikologjike janë gjendur pa prindërit e tyre dhe me skenën e një vrasjeje në mendje. Policia ka vendosur në njërin prej mjeteve tre fëmijët e vegjël të Antoneta Hysës.
Në fytyrat e tyre dukej tronditja e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi të gjithë fshatin Liçaj. Ndërkohë djali i madh i Esma Xibrakut është përballur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së nënës së tij kur për shumë vite nuk sheh babanë në burg.
Agjentët janë munduar të qetësojnë e të ndihmojnë fëmijët e viktimës dhe gjithashtu të gjejnë një strehë për fëmijët e autores së krimit për faktin se babai i tyre ndodhet në qeli për "armëmbajtje pa leje". Të dy familjet ishin në gjendje të varfër ekonomike.
Tashmë dy familjet konsiderohen të shkatërruara. Gruaja 37-vjeçare vendosi pas shumë vitesh të marrë hak për të atin edhe pse autori vuante dënimin në burg me 20 vjet heqje lirie për "vrasje".
Konfliktet e vazhdueshme mes dy familjeve duket se nuk kanë shuar krimin e vjetër, por e kanë nxitur atë duke përfunduar me një tjetër vrasje, këtë herë të një gruaje krejtësisht të pafajshme.
Në Elbasan regjistrohet brenda dy ditësh krimi i dytë për hakmarrje. 52-vjeçari Gëzim Alikaj u vra nga tre persona në qytetin e Elbasanit me shkakun se vëllai i tij kishte vrarë vëllanë e njërit prej autorëve të krimit.