E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, 60% e vizitave mjekësore kryhen në Kosovë

MUNGESAT/ Në fshatrat dhe bashkinë e Bajram Currit janë 74 institucione shëndetësore me 150 vetë personel


TROPOJË - Numri i institucioneve shëndetësore publike dhe personeli mjekësor që paguhet aktualisht në Tropojë është në shifra vërtet të larta, ndërkohë që mjekët deklarojnë se në të vërtetë mbi 60% e vizitave konsultave të banorëve kryhen në Prishtinë, Gjakove e Tiranë.


Kështu, aktualisht në Tropojë janë 74 institucione, nga të cilat 10 në bashkinë e Bajram Currit dhe 64 në 6 komunat e këtij rrethi.


E duke i specifikuar sipas llojeve kemi: 10 qendra shëndetësore, 3 në bashki e 7 në komuna, 43 ambulanca në komuna (fshatra), çka do të thotë se çdo lagje ka ambulancën dhe infermierin e saj; 1 poliklinikë në bashki, 10 konsultore për grate, 3 në bashki e 7 në komuna dhe po ashtu 10 konsultore fëmijësh me 3 në bashki dhe 7 në komuna. Në këto institucione punojnë 150 vetë, prej të cilëve 31 në bashki dhe 119 dhe nga sa mësohet në fshatra janë mbi 112 infermiere e mami.


Por ndërkohë, për një vizitë të zakonshme apo për një konsultim mjekësor pacientët udhëtojnë nga skajet më largëta prej mbi 7 orë rrugë, siç është komuna Lekbibaj, dhe drejtohen në spitalin e qytetit. Këta të fundit për mungesë mjeku specialist i drejtojnë në Gjakovë, Prishtinë apo Tiranë.


Lekën nga Lekbibaj para disa kohësh e kishte pickuar gjarpri dhe iu rrezikua jeta, pasi erdhi me vonesë në spital. Në komunë nuk ndodhej asnjë lloj medikamenti për helmim. Po kështu, një tjetër banor po nga Lekbibaj për një prerje të shkallës së mesme në dorë bën odisenë e rrugëtimit me gjakderdhje nga Lekbibaj në Bajram Curri dhe më pas në Gjakovë, çka tregon se qendrat shëndetësore, ambulancat, konsultoret e grave dhe të fëmijëve, madje edhe spitali i Bajram Currit, nuk janë në eficencë të plotë dhe në shërbim të pacientëve.


Por gjatë kësaj kohe janë bërë ristrukturime nga dikasteri përkatës, në të cilat ka ndryshuar vetëm emërtesa e drejtorive të shëndetit publik në rrethe, ndërsa shërbimi ndaj pacientëve shkojnë çdo ditë e më dobët.


Disa herë është thënë se spitali i Bajram Currit ka mungesë të personelit mjekësor, ndërkohë që shtimet kanë qenë vetëm në infermierë dhe jo duke pasur parasysh mungesat e vërteta. Shifrat e publikuara nuk justifikojnë punën e personelit mjekësor në Tropojë, pasi sipas vetë mjekëve, mbi 60 për qind e vizitave, konsultave apo rekomandimeve për sëmundje të ndryshme kryhen në Prishtinë, Gjakovë apo Tiranë. Gjon Neçaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›