Merren në mbrojtje dy gra, rriheshin nga vjehrri e burri
TIRANE – Dy gra kryeqytetase që dhunoheshin nga vjehrri dhe bashkëshorti i janë drejtuar dje Policisë së Tiranës për plotësimin e urdhrave të mbrojtjes së menjëhershme. Burime policore pohuan dje se 36-vjeçarja Elvira T. përfitoi mbrojtjen nga i vjehrri i saj, Kasem T., 76 vjeç. Gruaja 36-vjeçare, sipas policisë, denoncoi dhunën e ushtruar ndaj saj nga i vjehrri me të cilin jetonte në të njëjtën çati në rrugën “Shemsi Haka” në Tiranë. Po kështu, mbrojtje të menjëhershme ka përfituar edhe 21- vjeçarja Lindita L, nga Kamza. Kjo denoncoi bashkëshortin për shkak se ai e rrihte dhe e kërcënonte. Mësohet se në të dy rastet, Komisariatet 1 dhe 5 të Policisë së Tiranës i kanë referuar kërkesë paditë për mbrojtje në gjykatë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme.