Arkitektura, konkursi nga data 1-10 shtator
Ndryshe nga vitet e shkuara, kanë ende rreth 3 javë kohë për t’u përgatitur për konkursin. Të gjithë kandidatët që do të studiojnë për Arkitekturë, do t’i japin konkurset speciale nga data 1-10 shtator. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, vitet e tjera këto testime janë dhënë në korrik. “Këtë vit meqë u vendos që formulari A2 të plotësohej pas daljes së notave të Maturës Shtetërore, ato u shtynë për në shtator. është një praktikë e shëndoshë në dobi të kandidatëve”, sqaron MASH. Kjo është edhe një nga arsyet se pse fituesit e shkollave të larta do të shpallen pak më vonë se vitet e shkuara. “Pasi të kemi marrë edhe rezultatet e maturantëve që konkurrojnë për Arkitekturë, do të bëhet llogaritja e pikëve dhe do të shpallen fituesit”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, ajo do të jetë lista paraprake, ku maturantët do të kenë afatet e duhura për t’u regjistruar. “Pas regjistrimit do të shihen vendet vakante. Kjo procedurë ndiqet, pasi kemi kandidatë që kanë konkurruar këtu, por nga ana tjetër largohen jashtë shtetit. Në një fazë të dytë do të afishohet lista përfundimtare”, thonë specialistët. Listat paraprake të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t’iu dorëzohen institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programeve përkatëse të studimit. Për vitin e ardhshëm akademik kuotat e pranimit në universitete janë rritur me 11%. Në total, në 11 shkollat e larta publike do të pranohen 23.534 vetë. Ndërkaq, kuotat e parealizuara këtë vit do të plotësohen me rregulla të reja. Ndryshe nga dy maturat e mëparshme, nuk do të ketë më rikonkurrim të kandidatëve. Ata nuk do të plotësojnë formularët A3 dhe A4. “Fituesit do të kenë rreth një javë afat për të kryer regjistrimin paraprak në degën ku kanë fituar. Pasi të kenë përfunduar këtë procedurë, atëherë do të ketë një rishpallje të listës si dhe vendeve të mbetura bosh”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Për të plotësuar këto vende do të bëhet një spostim i listës sipas rendit zbritës. “Lista do të ulet nga fituesi i fundit deri tek personi që ka më shumë pikë pas tij. Në këtë mënyrë do të plotësohen kuotat”, thonë specialistët. Ata bëjnë me dije se nuk do të ketë disa faza regjistrimesh. Kjo për të shmangur kaosin e krijuar vitet e shkuara, ku në universitete futeshin studentë edhe në fillim të dhjetorit.