Financat: Ministritë të shtrëngojnë rripat
Shehu: Rishikimi i buxhetit është procedure normale me synim përdorimin e parave në mënyrë sa më të frytshme
Në letrën dërguar ministrive të tjera, financat bëjnë thirrje që të tregohet kujdes për shkurtimin e shpenzimeve
TIRANË- Zbardhet përmbajtja e letrës që Ministria e Financave iu dërgoi dy ditë më parë ministrive të tjera.
Në letër të gjitha ministrive iu kërkohet të hartojnë një listë të detajuar të të gjitha shpenzimeve të kryera gjatë muajve janar-qershor 2009, ndërsa qëllimi kryesor është kursimi i sa më shumë parave.
Në rreshtat e letrës gjithashtu lihet të kuptohet se, ndryshe nga herët e tjera, për shkak edhe të mos përmbushjes së planit në vjeljen e të ardhurave, këtë vit situata paraqitet e rënduar. Ndërsa institucionet e fiskut ndodhen në vështirësi në mbledhjen e taksave për mbushjen e arkës së shtetit pas investimeve të mëdha gjatë fushatës elektorale të qershorit, financat iu kërkojnë institucioneve të tjera që të bëjnë propozimet e tyre për shkurtimin e mëtejshëm të shpenzimeve.
"Kërkojmë që të bëni propozimet përkatëse për të shkurtuar shpenzimet, duke patur parasysh situatën",- citohet ndër të tjera në letër.
Mosrealizimi i parashikimeve në vjeljen e të adhurave nga tatimet dhe doganat duke shkaktuar një defiçit prej 6 miliardë lekësh tashmë është pranuar edhe nga drejtues të lartë në ministri.
Referuar kërkesës së financave, në raportin që minisritë e tjera duhet t'i paraqesin asaj, duhet të pasqyrohen të detajuara të gjitha shpenzimet që janë kryer për investime, dhe ato operative, si dhe investimet që nuk janë kryer ende, duke bashkangjitur edhe arsyet e mosrealizimit. Analizën e detajuar të të gjitha shpenzimeve nga ministritë dhe kërkesën për kursimin e sa më shumë parave, Ministria e Financave e ka përligjur me faktin se në fillim të shtatorit do t'i paraqesë Këshillit të Ministrave kërkesën për ndryshime në buxhetin e vitit 2009.
Në lidhje me këtë, zëvendës ministri i Financave, Sherefedin Shehu, është shprehur se rishikimi i buxhetit ka të bëjë me një procedure ligjore normale dhe ka synim kryesor shpenzimin e parave në mënyrë sa më të frytshme dhe nuk bëhet për shkak i mungesës së të ardhurave në buxhet. "Do të bëjmë rishikim buxheti sepse ky është një detyrim ligjor. Kur themi rishikim buxheti kemi parasysh rishpërndarje fondesh, pra marrjen e tyre nga projektet apo ministritë ku ato nuk janë realizuar dhe dërgimin atje ku duhet investuar. Pra gjithë rishikimi i buxhetit ekzistues synon që të ulë presionin e shpenzimeve në fund të vitit.
Për disa ministri të cilat nuk garantojnë shpenzimin e fondit të tyre, ne do t'i marrim fondet e tyre dhe do t'i çojmë në projekte që janë në process dhe që garantojnë kryerjen e këtyre shpenzimeve", -tha ai. Gjithashtu, numri dy i financave ka bërë të ditur se për përmbushjen e investimeve publike do të përdoren edhe të ardhurat e përfituara nga privatizimet e kompanive të mëdha, si OSSH, ARMO etj. Në mënyrë të përsëritur, opozita ka akuzuar qeverinë se zbrazi arkën e shtetit duke kryer shpenzime maramendëse me anë të investimeve publike për qëllime elektorale, ndërsa drejtues të lartë në Ministrinë e Financave këmbëngulin se i kanë paratë për investimet e parashikuara për t'u kryer gjatë pjesës së mbetur të vitit.