E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hajduti" plagoset nga roja për një rrotull bakër

Policia e Kamzës arrestoi me akuzën e plagosjes rojen e një pike inerte dhe për vjedhje të plagosurin që hyri në objekt natën


TIRANE- Për një rrotull teli bakri që donte të vidhte, një burrë 47- vjeçar rrezikoi jetën, duke u plagosur me çifte nga roja i objektit. Burri mbeti i plagosur me çifte në të ndenjura duke u gdhirë dita e djeshme në fshatin Çekrezë nga roja i një objektit të një pike të prodhimit të materialeve inerte.


Policia arreston hajdutin e plagosur, me akuzën e vjedhjes së mbetur në tentativë, ndërsa rojen me akuzën e plagosjes së rëndë me armë gjahu.


Qamil Doda, 47 vjeç, mbeti i plagosur nga Besnik Kodra, 52 vjeç, banues në fshatin Çekrezë u arrestuan nga policia e komisariatit të policisë nr.5, pas plagosjes së Dodës në rrethimin e pikës së përpunimit të inerteve. I plagosuri është dërguar nga vetë roja Besnik Kodra në spital, dhe po ai vetë më parë kishte lajmëruar policinë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ambientin ku ai punonte.


Rreth mesnatës së të martës, Doda, sipas burimeve të policisë, banues në fshatin Çekrezë të Tiranës, është afruar pranë pikës së inerteve të zonës dhe më pas ka mundur të kalojë rrethimin, jo shumë larg nga i cili ndodhej edhe një rrotull teli bakri të cilin mund ta shiste për skrap apo mund ta përdorte për përdorim vetjak. Sapo i është afruar rrotullës së telit, është dëgjuar zëri i rojes, që i ka kërkuar personit të panjohur të largohej nga territori i objekti.


Në vend që të largohej, 47- vjeçari Doda është munduar të fshihet ndaj rojes Besnik Kodra. Ky i fundit menjëherë pas këtij veprimi ka mbushur çiften duke qëlluar në drejtim të personit që sapo kishte tentuar të vidhte në objektin në të cilin ai ishte punësuar.


Nga saçmet e qitura nga çiftja që Kodra e mbante me leje, bujtësi i papritur ka marrë plagë në bark në kofshë dhe në të ndenjura. Menjëherë pas ngjarjes roja ka lajmëruar policinë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes ndërsa roja është nisur të dërgojë të plagosurin në spitalin ushtarak.


Ndërkaq policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të hetuar situatën dhe ka mësuar se autori i ngjarjes ishte i punësuar në pikën e inerteve me kontatë pune të rregullt dhe madje ishte pajisur edhe me leje për armë gjahu, por jo me liçensë për të punuar si polic privat.


Ndërkaq, pas hetimit të kryer në vendin e ngjarjes nga ekspertët e policisë, policia ka arrestuar të dy personat, Qamil Dodën me akuzën e vjedhjes së mbetur në tentativë, ndërsa rojen me akuzën e plagosjes së rëndë.


I dëmtuari, dje qëndronte në spitalin ushtarak, ku po mjekohej për plagët e marra në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët thanë se ai ndodhej jashtë rrezikut për jetën pavarësisht plagëve të rënda të saçmeve që i ishin përhaur në pjesë të ndryshme të trupit.


Ai aktualisht ndodhet në gjendje arresti në spital, ku dy efektivë të policisë e ruanin atë në një nga dhomat e një prej pavioneve të spitalit ushtarak.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›