Merrini mbeturinat tona

Kryeministri Sali Berisha akoma nuk ka ndërhyrë në debatet e brendshme në Partinë Demokristiane, duke zvarritur kështu edhe vendimin e tij për kërkesat e dy “grupimeve”, për shkarkim të njërës apo tjetrës palë. Edhe pse Nard Ndoka ka dorëzuar një kërkesë për shkarkimin e dy zëvendësministrave, Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati, kryeministri Berisha akoma nuk ka dhënë një përgjigje. Nga ana tjetër, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kërkesën e Anton Gurakuqit, për shkarkimin e Nard Ndokës nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Vetë kryeministri Berisha duket se gjendet para një zgjedhjeje të vështirë, ndërsa nuk ka dhënë akoma një përgjigje se krahun e cilës palë do të mbajë. Duke folur për këtë çështje, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, që është edhe kryetar i PDK-së, thotë për “Korrierin”, se çështja e dy zëvendësministrave tashmë është një çështje e mbyllur. Sipas tij, Këshilli Kombëtar i PDK-së e ka marrë vendimin për heqjen e mandateve të përfaqësimit të kësaj partie dhe do t’i kërkojë kryeministrit Berisha që të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me PDK-së, duke shkarkuar dy zëvendësministrat. I pyetur se çfarë rruge do të ndjekë në rast se kryeministri Berisha nuk merr një vendim për këtë çështje, Ndoka thotë se kjo do të cilësohet si një shkelje e marrëveshjes së nënshkruar mes PD-së dhe PDK-në, gjë e cila do të ndikojë edhe në bashkëpunimin e mëvonshëm mes këtyre dy partive. “Nëse PD-ja tregohet këmbëngulëse dhe shkel në mënyrë të njëanshme marrëveshjen që ka me PDK-në, atëherë ne do të dimë të përgjigjemi në mënyrë serioze dhe parimore. Ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë që kryeministri Berisha të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me PDK-në”, deklaron Ndoka. Duke folur për vonesën në dhënien e vendimit nga ana e kryeministri Berisha, kryetari i PDK-së thotë se, “nëse PD-ja i ka shumë për zemër dy ish-përfaqësuesit tanë në postet e zëvendësministrave, atëherë kjo parti mund t’i anëtarësojë në PD dhe t’u japë edhe post ministror po të dojë”. Aktualisht, në zyrën e kryeministrit Berisha ndodhen dy kërkesa nga grupimet brenda PDK-së. Kërkesa e parë u drejtua nga Nard Ndoka, i cili i paraqiti kryeministrit Berisha edhe vendimin e Këshillit Kombëtar të PDK-së, që nuk i njihte më zëvendësministrin e Jashtëm, Anton Gurakuqin dhe zëvendësministrin e Integrimit, Zef Bushatin si përfaqësues të tyre. Reagimi i demokristianëve të Anton Gurakuqit ishte i menjëhershëm, ku edhe ata i bënë një kërkesë kryeministrit Berisha për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka. Deri tashmë, akoma nuk është marrë një vendim nga ana e kryeministrit Berisha, ndërsa vetë Ndoka i ka kujtuar atij disa herë në deklarata, se marrëveshja e bashkëpunimit mes partive mban pikërisht firmën e kryeministrit Sali Berisha dhe të kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka.