E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi për 1000-lekësha falsë në treg

Policia po heton informacionet, se në vendin tonë po qarkullojnë sasi kartëmonedhash të falsifikuara. Dyshimet e bluve dhe pistat ku po hetohen

FIER Në Shqipëri hyjnë sërish para false. Kush është piktori, punëdhënësi i tij e shpërndarësit e kartëmonedhave false shqiptare që dyshohet se kanë hyrë në treg? Alarmi për hedhje në treg të parave të falsifikuara kësaj radhe erdhi fillimisht nga Fieri dhe më pas u përhap dhe në rrethe të tjera. Informacionet e marra në rrugë operative, se në këtë qytet, mbase dhe në ato rreth e rrotull tij kanë hyrë para false, ka ngritur në këmbë policinë lokale dhe atë të qendrore, e cila ka nisur menjëherë një hetim për të verifikuar informacionin. Sipas burimeve konfidenciale policore, mësohet se Zyra e Antikrimit Ekonomik është vënë në punë gjatë ditëve të fundit për të verifikuar informacionin e marrë, se në treg janë vënë në qarkullim para të falsifikuara të prerjes 1000 lekë të reja. Lajmi konfirmohet edhe nga burime zyrtare pranë Drejtorisë të Përgjithshme të Policisë, të cilat gjithsesi, për arsye hetimore, nuk japin më shumë informacione. Ndërkohë, nga burime të tjera mësohet se hetimet janë përqendruar në gjetjen e burimit të mundshëm të prodhimit të parave false. Zbardhja e misterit nëse prerjet e 1000-lekëshe janë prodhim vendas apo importi, ashtu si në më të shumtën e rasteve, është ndër pikat kryesore të hetimit të ndërmarrë nga blutë. Për grupin hetimor kjo është ndër gjërat më kryesore për tu verifikuar, pasi në rast se ato prodhohen në vend, atëherë duhet të ketë nga pas një industri më vete të përbërë nga falsifikatorë, mes të cilëve zakonisht ka dhe persona që iu vjen ndoresh të pikturojnë dhe më pas, rrjeti i shpërndarësve të këtyre parave shiten për 2 lekë, por që dëmtojnë mjaft tregun dhe ekonominë. Por ekziston mundësia që paratë shqiptare të mos jenë prodhuar në vendin tonë, por në vende të tjera, në të cilat janë bërë porosi dhe më pas kanë mbërritur në Shqipëri. Kjo në fakt është mënyra sesi kanë funksionuar më së shumti rastet e hedhjes në treg të parave false, kur pas hetimeve intensive ka rezultuar se ato nuk janë prodhuar në Shqipëri. Kohë më parë edhe Banka e Shqipërisë dha alarmin për futjen në vendin tonë të sasive shumë të mëdha të parave false. Paratë false kanë hyrë në prerje të ndryshme, por gjithmonë më e preferuara duket se ka qenë kartëmonedha jeshile me prerje prej 1000 lekësh të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›