E Diel, 1 Nëntor 2026

Do të të rrëmbejmë djalin

Para atentatit, kryeministri kosovar Hashim Thaçi kishte marrë kërcënime për pengmarrjen e të birit

Një hije e zezë iu vu situatës politike në Kosovë, kur të premten në mesnatë, shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçit u bë cak i një sulmi agresor. Vëmendja e opinionit botëror u kthye sërish nga Kosova, ndërkohë që një seri dyshimesh dolën në sipërfaqe. Cili ishte motivi i sulmit? Politika dhe organet e rendit nuk kanë ende përgjigje, ndërkaq në opinion, gjatë ditës së shtunë u sollën një mori hamendjesh. Përgjigjen e kësaj pyetjeje më së mirë duket se e di Fazli Sejdiu, i cili në mbrëmje u kap nga policia, si i dyshimti kryesor në sulmin ndaj shtëpisë së kryeministrit Thaçi.

Burime të gazetës prishtinase “Express”, në kusht anonimiteti, kanë treguar se në mbrëmje është vetëdorëzuar në polici personi me emrin Fazli Sejdiu, i cili dyshohet se mesnatën e së premtes ka tentuar të futet dhunshëm në ambientet familjare të kryeministrit. “Fazli Sejdiu është dorëzuar mbrëmjen e së shtunës në polici nga babai dhe vëllai i tij”, ka thënë një burim i gazetës. Gjatë tërë ditës së shtunë, Fazli Sejdiu, i lindur në fshatin Banjë të Siarinës, komuna e Medvegjës, ka rezistuar që të mos kërkojë ndihmë mjekësore. “Por rreth mbrëmjes, gjendja e tij shëndetësore është rënduar, si pasojë e plagëve të marra në krah. Prandaj babai dhe vëllai i tij e kanë bindur atë që t’iu dorëzohet organeve policore”, ka thënë një burim policor. Sipas këtyre burimeve, i ndaluari është 19-vjeçar, ndërkohë që në deklaratën e tij para hetuesve ka thënë se “është me gjendje të keqe ekonomike, ashtu sikurse edhe përdorues i drogës”. “Ai ka lindur në fshatin Banjë të Siarinës, por tash e disa vite ka jetuar në barakat e Ramiz Sadikut, në qendër të Prishtinës”, ka sqaruar burimi i gazetës. Në bazë të deklaratës së tij, duket se qëllimi i sulmit ka qenë plaçkitja, mirëpo ekzistojnë dyshime që ai është përdorur për qëllime tjera. Policia ka konfirmuar arrestimin. “Po, është arrestuar një preson. Dyshohet se motivi i tij ishte plaçkitja”, ka thënë për “Express” Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së. Në krejt këtë situatë, gjëja më e rëndësishme duket se është shpëtimi pa asnjë lëndim i gruas dhe i djalit të kryeministrit Thaçi, të cilët për disa çaste përjetuan një tmerr të vërtetë. Në një konferencë për media, të shtunën pasdite, kryeministri Thaçi bëri thirrje për qetësi, ndërkohë që shfaqi ndenja lehtësimi, pasi familjarët e tij nuk pësuan lëndime nga ky agresion. “Si çdo prind dhe bashkëshort, jam i lumtur që familja ime është shëndoshë dhe e sigurt”, tha ai. Gjatë tërë ditës, Hashim Thaçi ka marrë letra dhe telefonata solidarizuese nga liderë politikë të vendit dhe të huaj. Të sapokthyer në shtëpi, nga një vizitë tek vëllai i kryeministrit, bashkëshortja dhe djali i tij dëgjuan për disa çaste breshëri plumbash, të cilët vinin nga oborri, përkatësisht nga ballkoni i ndërtesës. Gjithçka ka filluar, kur njëri prej rojeve të shtëpisë së kryeministrit ka vërejtur një person teksa po orvatej të futej në ambientet familjare përmes ballkonit të shtëpisë. Policia tha se pas paralajmërimit, sigurimi i kryeministrit ka filluar të shtie në drejtim të të dyshuarit. Me të njëjtën gjuhë iu është përgjigjur edhe sulmuesi. Burime të “Expressit”, të afërta me familjen e kryeministrit, kanë shpjeguar në detaje çastet e tmerrshme të mesnatës të së premtes. Sipas tyre, njëri prej rojeve të kryeministrit ka qenë shumë afër kapjes së sulmuesit, pasi që kishte arritur ta plagoste, por ai e ka pasur të pamundur që ta kapte atë, pasi që në atë moment kanë filluar britmat brenda shtëpisë. “Roja ka menduar se ndoshta dikush ka hyrë brenda shtëpisë, prandaj e ka lënë sulmuesin në ballkon dhe vetë ka hyrë në shtëpi”, ka treguar burimi i gazetës. Kjo periudhë i ka mjaftuar sulmuesit që të largohet, për të ikur me vrap drejt një makine që e priste jashtë. Megjithëkëtë, diçka mbeti nga sulmuesi: gjaku. Analizat e ADN-së do ta vërtetojnë prezencën e Fazli Sejdiut në ballkonin e shtëpisë së kryeministrit mesnatën e së premtes. Deri më tash, asnjëherë nuk është raportuar për ndonjë sulm ndaj liderit të PDK-së, Hashim Thaçit. Sulmi i së premtes është i pari, megjithëse kërcënime ka pasur në vazhdimësi. “Njëri prej kërcënimeve më të freskëta është ai i para disa ditësh, ku Hashim Thaçi kërcënohej se do t’ia kidnaponin djalin”, ka treguar në kusht anonimiteti njëri prej pjesëtarëve të sigurisë së kryeministrit. Sipas tij, ky kërcënim nuk është marrë aq seriozisht, ndërkohë që sulmi i së premtes është një leksion që gjërat mund të marrin kahe tjetër.

Marrë me shkurtime nga gazeta “Express”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›