E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merrte ryshfet si shofer i kreut të Gjykatës së Lartë, arrestohet

TIRANE - Prezantohej si shoferi i Kryetares së Gjykatës së Lartë dhe u premtonte personave të ndryshëm zgjidhjen e problemeve në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave.

Kjo është historia e 47-vjeçarit Stavri Vaso, i cili është arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Tiranës, nën akuzën e "Vjedhjes me anë të mashtrimit". Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se, Vaso është denoncuar nga dy persona të familjes Tula nga Shkodra, të cilëve në këmbim të një shume prej 2.3 milionë lekësh, u kishte premtuar se do ndikonte tek funksionarë të lartë të AKKP-së, që këta të fundit të merrnin një vendim në favor të familjes së tyre. Mësohet se Tula kishte aplikuar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të rimarrë një pronë të trashëguar.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Stavri Vaso u ka kthyer atyre një shumë prej 1 milion lekësh, por kur këta të fundit i kanë kërkuar dhe pjesën tjetër të parave, ai u është përgjigjur se nuk kishte marrë asnjë shumë tjetër prej tyre. Në këto kushte, pjesëtarët e kësaj familjeje i janë drejtuar policisë, duke bërë kallëzim për këtë person. Pas disa javësh hetime, blutë e kryeqytetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës arritën të prangosnin Vason, pas masës së sigurisë të marrë ndaj tij në mungesë, nga ana e Gjy-katës së Tiranës.

Ndërkaq, menjëherë pas lajmit për arrestimin e Stavri Vasos, i cili prezantohej si shoferi i Kryetares së Gjykatës së Lartë, ka reaguar dhe Shpresa Beçaj. Me anë të një njoftimi për shtyp, Gjykata e Lartë bën të ditur se Vaso ka ushtruar detyrën e shoferit të administratës në Gjykatën e Lartë dhe është larguar nga kjo Gjykatë me insistimin e Kryetares Beçaj në prill 2012-të.

"Gjykata inkurajon dhe falënderon çdo qytetar i cili u drejtohet organeve të drejtësisë për të gjetur dhe garantuar të drejtat individuale, sa herë që ndeshet me raste mashtrimi, duke respektuar në të njëjtën kohë dhe punën e organeve të policisë dhe prokurorisë për të kryer veprimet e nevojshme në identifikimin e këtyre elementeve", - thuhet në reagimin e Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›