Meryl Streep homazh për Robert Redford: U prehsh në paqe miku im i dashur

LOS ANXHELES, 16 shtator /ATSH/- Robert Redford është kujtuar si një “gjeni” dhe një “luan” pas vdekjes së tij në moshën 89-vjeçare, sipas “Entertainment Tonight”.
Aktori dhe regjisori legjendar vdiq sot në shtëpinë e tij në Utah.
Redford u konsiderua si kumbari i kinemasë së pavarur.
Meryl Streep luajti përballë tij në dramën romantike të vitit 1985 “Out Of Africa” dhe filmin e vitit 2007 “Lions For Lambs”, me regji të Redford.
“Një nga luanët ka ndërruar jetë. U prehsh në paqe miku im i dashur”, tha Streep në një deklaratë.
Aktorja Marlee Matlin, një nga yjet e kinematografisë, fituese e çmimit “Oscar” në filmin “Coda”, e cila u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit “Sundance” të Redford, shkroi në X: “Filmi ynë, “Coda”, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve për shkak të “Sundance”.
“Dhe “Sundance” ndodhi falë Robert Redford. Një gjeni ka ndërruar jetë”, tha ajo.
Festivali i Filmit “Sundance” është një festival vjetor i filmit – i organizuar nga Instituti Sundance – i themeluar në vitin 1981 nga Robert Redford.
Spencer Cox, guvernatori i Utah-ut, shtetit amerikan ku Redford jetoi dhe themeloi festivalin, shkroi: “Dekada më parë, Robert Redford erdhi në Utah dhe u dashurua me këtë vend”.
“Ai i vlerësoi peizazhet tona dhe ndërtoi një trashëgimi që e bëri Utah një shtëpi për rrëfim dhe kreativitet”, tha Cox.
“Përmes “Sundance” dhe përkushtimit të tij ndaj ruajtjes së natyrës, Redford ndau Utah-un me botën. Sot ne nderojmë jetën e tij, vizionin e tij dhe kontributin e tij të qëndrueshëm në shtetin tonë”, tha ai. //a.i/