Prefiksi i Kosovës, Berisha: Nuk u konsultuan me ne
Një ditë pasi Kuvendi Kosovës miratoi rezolutën që unifikon prefiksin +355 për të dy vendet, kryeministri Berisha shprehet se kjo nismë duhej studiuar më gjerësisht. Duke folur për komunikimin kibernetik dhe telefoninë në krah të Hamadoun Touré, Sekretarit të Përgjithshëm të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Berisha tha se në parim nisma i duket e shkëlqyer por për detajet e saj do të konsultohet me ekspertët.
Prefiksi i Kosovës
I pyetur nga mediat në lidhje me vendimin e Parlamentit të kosovës për të përdorur prefiksin e Shqipërisë, kryeministri Berisha theksoi se në parim është dakord me këtë ide por kjo gjë duhet të studiohet më gjerësisht. ”Në parim jam plotësisht dakord. Është ide e shkëlqyer por, do të ishte mendimi im përfundimtar pasi të konsultohesha me ekspertët e fushës dhe ekspertët e financave, se në rast se, në rrafshin financiar, Kosovës i krijon ndonjë shmangie kjo gjë, natyrisht do të mendoja duhet të studiohet më gjerësisht”, deklaroi Berisha.
OKB kundër
Ndërsa Tore bëri të qartë se Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e njeh këtë prefiks edhe për Kosovën. Madje, ai theksoi se dy shtetet duhet të bëjnë kujdes me menaxhimin e problemeve teknike që do të lindin në prapaskenë. ”Kodet e telefonisë së shteteve përcaktohen nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe do jetë një precedent vërtetë serioz në se Parlamenti vetë vendos nga ana e vet. Kur një vend njihet nga Kombet e Bashkuara, atëherë ne ia vendosim kodin këtij vendi. Përdorimi i kodit të një vendi tjetër do të krijojë shumë probleme teknike, sepse vetëm tani janë 6 bilion telefonë celularë dhe secili nga ato është unik. Kemi një rregull mjaft të qartë në këtë drejtim dhe unë do ti këshilloja të gjithë palët të punonin në këtë mënyrë transparente dhe në bashkëpunim”, deklaroi Hamadoun Touré, Sekretari i Përgjithshëm i ITU-së. Kodi i fundit që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit i akordoi një shteti, ishte ai i Sudanit Jugor, 2 orë pasi OKB e njohu atë. Në unanimitet të plotë Kuvendi i Kosovës vendosi të enjten të përdorë prefiksin e vendit tonë në telefoni në vend të atij Slloven dhe të Monakos të përdorura deri më tani.
Rezoluta për prefiksin, PS: Të
mbyllen procedurat para 28 nëntorit
Miratimi i rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për unifikim të prefiksit me Shqipërinë është përshëndetur edhe nga grupi parlamentar socialist. Në një deklaratë për mediat sekretari i grupit parlamentar të PS- së, Taulant Balla, i bëri thirrje Qeverisë shqiptare të nisë procedurat që kodi + 355 të jetë i njëjti portal dhe për Kosovën, ndërsa shtoi që këto procedura të mbyllen para 28 nëntorit, ditës së pavarësisë. Duhet të nisin procedurat edhe nga pala shqiptare për unifikimin e prefiksit. Qeveria shqiptare të nisë procedurat që kodit + 355 të jetë i njëjti portal dhe për Kosovën. Të mos krijohet asnjë pengesë, këto procedura të mbyllen para 28 nëntorit u shpreh Balla. Vendimi i Parlamentit të Kosovës është përshëndetur më herët edhe nga PDIU, ndërsa nuk është pritur po kaq ngrohtë nga Kryeministri i vendit, i cili ndonëse theksoi se në parim është dakord me këtë ide, sipas tij kjo gjë duhet të studiohet më gjerësisht.
Rezoluta për prefiksin, PDIU: Të
merret në shqyrtim nga dy qeveritë
Partia për Drejtësi Integrim Unitet ka përshëndetur dje rezolutën e Kuvendit të Kosovës për adoptimin e prefiksit telefonik të Shqipërisë. Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja thekson se kjo nismë jo vetëm që do ti kursejë qytetarëve të Kosovës qindra milionë euro por shërben si një hap i rëndësishëm drejt unitetit kombëtar dhe përputhet me qëllimet dhe programin e kësaj partie. Ne bëjmë thirrje që kjo rezolutë të merret sa më shpejtë në shqyrtim ngë qeveria e Kosovës por edhe ajo e Shqipërisë si dhe të ndërmerren pa humbur kohë hapat e nevojshëm për ta mundësuar unifikimin e prefikseve ndërkombëtar telefonik thekson PDIU-ja duke theksuar se do të ishte një simbolike dhe vlere të veçantë që marrëveshja e unifikimit të prefiksit të konkludohej brenda këtij viti jubilar. PDIU-ja thekson se do të përdorë ndikimin e saj dhe do të përkrahë çdo përpjekje që mundëson integrimin mbarë-kombëtar dhe vë në vend padrejtësinë kombëtare që i është bërë kombit tonë në 1913.
Reeker në repartin Delta Force:
Siguria përmbush kërkesat e BE-së
Shqipëria ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë. Vlerësimi vjen nga Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i cili në ditën e tretë të qëndrimit në vendin tonë ka vizituar njësinë e lëvizjes territoriale Delta Force në Orikum të Vlorës. Diplomati amerikan tha se vendi ynë ka përmbushur kërkesat e BE-së përsa i përket modernizimit të policisë , cilësisë së saj, veçanërisht luftën kundër trafiqeve. “Vërtet keni dhënë kontribute të mëdha për përpjekjet tona, për ISAF në Afganistan; keni ndërmarrë reforma të mëdha në fushën e policimit si edhe për të luftuar trafikimin e personave. Të gjitha këto na kujtojnë që Shqipëria është shumë e aftë për të ndërmarrë reformat dhe ndryshimet e nevojshme për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Europian. Ndërkohë që vazhdoni në këtë rrugë, Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju, përmes ICITAP-it dhe programeve tona të tjera të ndihmës sepse duhet shume punë, një konsensus dhe një përpjekje politike për të vazhduar përpara por jemi besim plotë që Shqipëria është e aftë për këtë”, deklaroi Reeker. Përpara mbërritjes në Vlorë ai ka parë në terren zbatimin dhe arritjet e projektit të USAID-it për zhvillimin bujqësor në fshatin Gorican të Beratit.
Dixhitalizimi i sistemeve,
qeveria shpërblen 3 ekspertë
Qeveria jep 1.5 milion lekë shpërblim shkencor për 3 ekspertët e IT-së, të cilët dixhitalizuan shërbimet në sistemin e drejtësisë. Aristotel Agaraj, Xhevair Llakaj dhe Agim Kasaj, të cilët ndërtuan portalin “one stop shop për noterët”, sistemin e dixhitalizimit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe portalin “on line të gjykatave”. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh se me punën e tyre shkencore ata kanë kursyer mbi 300 mijë euro të taksapaguesve dhe të 5 milion eurove të Bashkimit Europian dhënë për projektin e gjykatave.
Kjo është hera e parë që administrata e lartë publike shpërblen financiarisht nëpunësit.