Riker takon drejtuesit e FRD dhe të AK. Spahiu: Po hyjmë në zgjedhje për të rrëzuar regjimin. Institucionet si në komunizëm
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Filip Riker, ka ardhur për një vizitë relativisht të gjatë në Shqipëri dhe normalisht ka takuar shumë drejtues të lartë të shtetit dhe të politikës. Por të bien në sy takimet e tij me drejtuesit e dy partive të reja të krijuar në gjirin e së djathtës, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca KuqeZi. Riker ka zhvilluar takime të veçanta me drejtuesit e FRD dhe ata të AK.
Sipas informacioneve të fundit, FRD në këtë takim u përfaqësua nga ish-presidenti Bamir Topi, deputeti Gazmend Oketa dhe anëtarë të tjerë të saj.
Në qendër të bisedimeve mësohet se ka qenë situata e institucioneve shtetërore, kryesisht ato kushtetuese, në vend.
Kurse kreu i AK, Kreshnik Spahiu pati zhvilluar një vizitë në Uashington dhe një takim atje me zotin Riker. Ky është takimi i dytë. Spahiu është shprehur se Aleanca KuqeZi po hyn në zgjedhje për të rrëzuar regjimin aktual politik.
Pas 22 vitesh të përmbysjes së regjimit komunist, Aleanca KuqeZi hyn në zgjedhjet e ardhshme për të thyer establishmentin aktual dhe rrëzuar regjimin politik aktual.
Pandëshkueshmëria e qeveritarëve të korruptuar dhe mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kanë krijuar fenomenin e kapjes së shtetit, ku aktualisht asnjë nga institucionet shqiptare nuk janë të pavarura, por kontrollohen në të njëjtën formë si në sistemin komunist tha Spahiu gjatë këtij takimi.
Gjithashtu kreu i Aleancës KuqeZi deklaroi se Shqipëria është ndër vendet më të varfra në Evropë pasi ka qeverinë më të korruptuar, duke iu referuar indeksit të Transparency International.