E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes ekonomisë dhe muzikës

Këngëtarja e re, Qëndresa Smajli ka filluar që një kohë të merret me muzikë. Ajo thotë se është duke përgatitur këngë të reja, përderisa qysh e vogël kishte kënduar nëpër festivale të ndryshme. Tani i është përkushtuar muzikës më tepër. Nga Mehdi Abdullahu më 25 maj 2011 në ora 17:07

Me muzikë kishte filluar që të merrej që në moshën pesë vjeçare. Edhe pse nuk i kishte ditur mirë shkronjat e alfabetit, më sa duket këngëtarja e re Qëndresa Smajli kishte treguar interesimin e saj për muzikën.

“Fillova t’i mësoja notat muzikore, fillimisht në instrumentin e pianos, pastaj edhe në këngë”, ka thënë Qëndresa në një bisedë për gazetën Express.

Me këngë nëpër festivale ishte paraqitur shumë herët. Përderisa kënga e saj ishte “Mami bleu mjaltin”, një këngë që ishte punuar nga profesori tashmë i ndjerë Ramadan Osmani.

“Osmani ishte edhe personi që m’i ka dhënë hapat e parë dhe një ndihmë shumë të madhe në muzikë. Si fëmijë kam realizuar gjithsej 8 këngë, duke i përmbledhur në një album ‘Kënga fëmijërore’ dhe një videoklip ‘Biznes familja’ në vitin 2005.

Pas kësaj këngëtarja nuk kishte hezituar që të marrë pjesë në një numër të madh të festivaleve si në ShowFest, Polifest, Cicërimat Buzë Ibrit, Hareja. “I jam mirënjohëse publikut për përkrahjen. Po ashtu të gjithë bashkëpunëtorëve. Falënderoj edhe babin, i cili si menaxher i imi gjatë gjithë kohës më ka mbështetur”.

Në lidhje me atë se në Kosovë ka një numër të madh këngëtarësh, Qendresa thotë se është e vetëdijshme.

“Në Kosovë shihet qartë se konkurrenca po rritet që çdo ditë e më shumë, por mirë që secili ka stilin e vet të këndimit, të paraqitjes etj. Prandaj besoj që nuk është shumë e vështirë të jesh tamam muziciente nëse je origjinale dhe ke stil më të veçantë”.
Tani këngëtarja thotë se pas albumit të parë që e kishte bërë nga fëmijëria, ajo e ka incizuar edhe një album të ri, që do të jetë krejtësisht me muzikë popullore shqiptare.

“Tash vonë kam përgatitur edhe një album ‘live’, duke e sprovuar vetën në muzikën artistike popullore. Albumi është në shitje dhe shpresoj se do ju pëlqejë. Po ashtu tani jam duke punuar edhe në projekte të reja, që shpresoj së shpejti do të jeni të informuar”, thotë këngëtarja. Ajo ka thënë se kishte pauzuar disa vjet, por mandej kishte realizuar këngën “Thank you USA”, dedikuar pavarësisë së Kosovës, pastaj ka realizuar edhe këngën “Reduktimet”, ndërkaq kënga e fundit “Top Temë”, të cilën e ka punuar Genc Prelvukaj, tashmë e ka edhe klipin e vet.

Ndryshe, Qëndresa Smajli ka përfunduar shkollën e ulët të muzikës në Pejë në instrumentin e pianos, por për momentin thotë se më shumë është e përqendruar te vokali.

“Tani jam studente e Universitetit të Prishtinës në Fakultetin Ekonomik. Mendoj që ky do të jetë profesioni im, por sigurisht në të njëjtën kohë duke mos e lënë anash muzikën, e cila pothuajse është bërë profesioni im i dytë”, tha në fund këngëtarja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›