E Diel, 1 Nëntor 2026

Erozioni rrezikon 140 mijë hektarë tokë

25/05/2011  Problemet e tokës, ekspertët vendas dhe të huaj diskutojnë mbi masat mbrojtëse

Berisha: Më shumë investime në infrastrukturën e zonave rurale e mbështetje për fermerët

Mbrojtja e tokës nga erozioni, si dhe marrja e masave për shfrytëzimin racional të pyjeve, kullotave, burimeve ujore, ka mbledhur në një tryezë diskutimi gjatë ditës së djeshme mbi 200 ekspertë të fushës, vendas e ndërkombëtarë, drejtues të dikastereve qeveritare, shoqërisë civile, instituteve kërkimore etj. Një ndër çështjet më të diskutuara ishte ajo e marrjes së masave për mbrojtjen e tokës nga erozioni, duke krijuar mundësi për shfrytëzimin e tokës për mbjellje. Të dhënat e publikuara nga strukturat e mjedisit tregojnë se vendi ynë klasifikohet si një nga vendet mesdhetare me nivelin më të lartë të erozionit nga 21.4 në 34.7 ton /ha për vit. Humbja e tokës është rezultat i degradimit të bimësisë apo nga punë hidroteknike që kryhen, si dhe shfrytëzimi i tokave bujqësore për qëllime ndërtimi. Gjithashtu aktualisht gjenden edhe 140.000 ha tokë të rriskuara nga erozioni. Krahas masave që duhen marrë për këtë situatë, është kërkuar që strukturat pushtetit vendor dhe atij qendror të bashkëpunojnë në shmangien e një tjetër problematike, siç është ndotja kimike e tokave bujqësore, si dhe shfrytëzimi i tyre për mbjellje. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha, që ka pohuar se falë masave të marra ka filluar të mbahet një qëndrim më i konsoliduar ndaj tokës. Ndihmë në këtë drejtim, sipas kryeministrit, do të japin edhe projektet e ndërmarra për ullirin dhe arrorët, të cilat do të sigurojnë shfrytëzimin e çdo metri katror sipërfaqe toke. “Ne kemi nisur këtë vit një projekt të dytë shumë të madh, të mbjelljes së 30 milionë rrënjë arrorë, siç janë lajthi, arra, bajame, objekt i cili është vlerësuar si i arritshëm, duke krijuar edhe masa lehtësuese ndaj fermerëve. Po ashtu qeveria ka vendosur të financojë fermerët që do mbjellin rrënjët e ullinjve dhe ky fond i dhënë po disafishohet nga vetë fermerët dhe qytetarët. Kështu p.sh financimi i qeverisë ka mbuluar rreth 1/3 e rrënjëve ullinj të mbjella”, ka deklaruar kryeministri. Ndërkohë që ka kërkuar që të ruhet toka bujqësore dhe të mos shfrytëzohet për ndërtime. “Toka ka pësuar dëme serioze për shkak të ndërtimeve pa kriter, të cilat janë të pranishme nga jugu në veri, por ne duhet të bëjmë përpjekje që të orientojmë për mundësitë që janë më të mëdha për vendin, të mos dëmtojmë tokën bujqësore, ta shfrytëzojmë atë për mbjellje”, ka shtuar kryeministri. Sipas tij, Shqipëria renditet si një ndër vendet me tokë bujqësore për frymë më të paktën në Evropë, me rreth 1800 m2 për frymë. Edhe pse në sasi të paktë, pohohet se kjo sipërfaqe është një tokë e cilësisë më të lartë. “Shqipëria është një vend plot ujë, është një vend plot diell, ndaj dhe shqiptarët nuk kanë arsye për t’u ndier aspak skeptikë mbi potencialet e jashtëzakonshme të tokës së tyre. Ne po procedojmë me një sërë reformash; ndër më kryesoret është regjistrimi i saj, ndërkohë janë një seri projektesh kombëtare me të cilat ne synojmë një shfrytëzim më racional të pasurive, të pyjeve, të kullotave, të tokës në tërësi.”

Rritja e sipërfaqes së shfrytëzimit nga fermerët do të shoqërohet me marrjen e masave financiare lehtësuese ndaj tyre, si dhe me përmirësimin e infrastrukturës së zonave rurale në të njëjtat nivele me ato të qyteteve. Ky ka qenë premtimi i bërë nga kreu i qeverisë ndaj fermerëve, teksa ka bërë me dije dhe vijimin e reformës së tokës, ku prioritet kryesor do të jetë regjistrimi i saj. “Në këtë periudhë qeveria shqiptare është e angazhuar tërësisht në ngritjen e infrastrukturës në mbarë vendin. Ne kemi një premtim para fermerëve shqiptarë se kudo që ata janë ne do të ndërtojmë një infrastrukturë të njëjtë me ato të lagjeve të qyteteve dhe ne po e bëjmë këtë. Po ndërtojmë rrugë të reja, po i asfaltojmë ato. Kemi asfaltuar 8 mijë km në një hark kohor 5-vjeçar. Kemi edhe disa mijëra të tjera për të asfaltuar”, tha Berisha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›