E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina e fillon mbarë

Sigal Prishtina e ka filluar mbarë finalen e play-offit të BKT Superligës së basketbollit. Prishtinasit e mposhtën me meritë Pejën të mërkurën mbrëma me rezultat 94:78. Bardh e kaltrit udhëheqin 1-0 në serinë finale. Ndeshja e dytë do të zhvillohet në Pejë, në fundjavë. Nga Moral Pozhegu më 25 maj 2011 në ora 22:08

Finalja e play-offit të BKT Superligës së Kosovës në basketboll ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme për Sigal Prishtinën. Kampioni aktual i Kosovës ka qenë bindës ndaj Pejës, të cilën e mposhti sonte në Prishtinë me rezultat 94:78, në duelin e parë final.

Bardh e kaltrit kanë dominuar fund e krye ndaj verdh e zinjve, të cilët nuk ishin as hija e skuadrës që e fitoi Kupën e Kosovës, javë më parë. Natyrisht, tek paraqitja e zbehtë e skuadrës mysafire ndikoi edhe lëndimi i hershëm i qendrës amerikane, Justin Dobbins, për shkak të lëndimit në nyje të këmbës së majtë.

Edhe qendra tjetër Valdet Grapci doli para kohe, për shkak të gabimeve personale, kështu që djelmoshat e Bujar Locit nuk kishin zgjidhje për ta ndalur kundërshtarin.

“Lëndimi i Dobbins e bëri të veten. Më duket se ne e nënçmuam Prishtinën, pas fitores në Kupë ndaj saj. Disa lojtarë nuk ishin shumë seriozë, duket se janë lazdruar. Shpresojmë të fitojmë në ndeshjen e dytë, të cilën e luajmë në shtëpi”, tha kapiteni pejan, Valdet Grapci.

Prishtinasit udhëhoqën gjatë tërë ndeshjes. Ata e nisën më mirë takimin duke e mbyllur çerekun e parë me epërsi prej 26:19. Edhe në periudhën e dytë ata dominuan dhe shkuan në pushim të gjatë me epërsi prej 18 pikësh, 53:35 (çereku i dytë 27:16).

Në këtë periudhë u arrit edhe shkëputja më e lartë e prishtinasve, 50:29 (+21 pikë). Në 10 minutëshin e tretë pejanët i treguan dhëmbët dhe për një moment e ngushtuan rezultatin në vetëm 4 pikë, 66:62. Periudha e tretë përfundoi 16:27.

Por, duket se kjo ishte e tëra që mundën ta bënin udhëtuesit. Ngase, më pas çdo gjë foli në të mirë të Prishtinës. Basketbollistët e Arben Krasniqit e rikthyen kapitalin që kishin dalë ngadalë dhe në fund fituan me plot meritë me 14 pikë epërsi.

Valentin Spaçi ka qenë pothuajse i qindpërqindtë tek prishtinasit, duke qenë i saktë në 4 nga 5 gjuajtjet për tri pikë. Basketbollisti prizrenas thotë se është gati kurdo që mendon ta angazhojë trajneri Krasniqi.

“Kjo ishte fytyra e vërtetë e Sigal Prishtinës. Kemi punuar me seriozitet dhe e kemi lënë prapa atë që ka ndodhur më parë. Puna e jonë u shpërblye. Unë jam gati, kurdo që trajneri ka nevojë për mua”, tha Spaçi.

Edmond Azemi dhe Blerim Mazreku e kishin natën e dytë. Kjo dyshe shënoi së bashku gjysmën e pikëve të skuadrës së Prishtinës, 48, nga 24 për kokë.

Ndërkaq, tek pejanët Damarius Bolds shkëlqeu me 30 pikë, i përkrahur nga Samir Shaptahovic, që kontribuoi me 25 sosh. Takimi i dytë final do të luhet në Pejë, në fundjavë. Skuadra që shënon tri fitore, shpallet kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›