E Diel, 1 Nëntor 2026

Mes femrave të grevës, 430 orë pas nisjes së ngujimit në çadër

Reportazh “Temperatura më ka shkuar 40 dhe kjo po më mundon”, tregon Elsa, e cila gjithsesi nuk harron të buzëqeshë

Në ditën e 18 të grevës të urisë, ushqimi nuk është mungesa kryesore për ata që kanë mbetur në çadra. Tashmë duket se grevistëve nuk u bëjnë më përshtypje as akuzat se nën plastmasë janë futur me urdhër. Kur kanë kaluar rreth 430 orë nga koha e nisjes së ngujimit në kamp, problemi kryesor është mungesa e një reagimi ndaj kërkesave së tyre. Të pajisur me televizor në çdo “dhomëz” të kampit të madh dhe me shtypin e ditës të shpërndarë nëpër krevate, grevistët presin zgjidhjen, kohën kur kjo sakrificë do të marrë fund dhe jeta do t’ju futet në vorbullën normale të saj.

Gratë e grevës

Ndërsa radhët e grevistëve po pakësohen në total, numri i grave që tashmë gjenden nën çadër mund të numërohet me gishtat e njërës dorë. Kur rojet e kampit të hapin “dyert” për të hyrë brenda, në të dy krahët e çadrës vëren radhë të gjata meshkujsh të shtrirë nëpër shtretër. Duhet t’i kalosh këto radhë për të shkuar në “dhomën” e femrave. Ato janë vetëm katër, ndërsa në mure shquhen fotot e atyre të cilat kanë qenë të detyruara ta ndërpresin më parë grevën e urisë. Deputetja e PS-së, Shega Ligori, të fton menjëherë të ulesh pranë saj dhe tregohet e gatshme të të flasë për situatën politike dhe zgjidhjen që presin prej javësh. Teksa mundohesh t’ia hedhësh fjalën te fakti se si një femër mund ta përballojë jetesën për 18 ditë në të tilla kushte, buzëqesh dhe mjaftohet me një fjali: “Unë jam brez që kam provuar zborin në ushtri, konviktin dhe tashmë jam mësuar t’ia dal mbanë me jetesën këtu”. Dhe realisht duhet se ia ka dalë, për të mbajtur një pamje të freskët dhe të rregullt, ndonëse jetesa në çadër të lë pak alternativa për kujdes personal. “Nuk po e ndjej më as nevojën për të ngrënë, ndonëse katër ditët e para pata shumë vështirësi. Problem kam vetëm tensionin, të cilin sot e kisha 8 me 5”, tregon Shega pak orë përpara se të dilte nga greva. Në orën 20:00, për shkak të përkeqësimit të shëndetit, ajo la grevën me barelë. Në krevatin përballë, e ulur ndodhet Mimoza Boçari, ish-pronarja e cila prej vitesh kërkon të drejtën mbi pronën e saj. Teksa i afrohesh për ta përshëndetur, ndërpret punën mbi laptop-in e saj dhe shpejton të të thotë se “kjo indiferencë që po tregon Berisha ndaj grevës sonë, është e jashtëligjshme”. Më tej ajo shpjegon se në Gjermani, në vendin ku ajo jeton, një situatë e tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë. “Në një vend demokratik ne do të ishim respektuar të paktën si qenie njerëzore”, thekson Mimoza, duke shtuar se qeveria ka disa detyrime për qytetarët e saj.

çadra-spital

Në krah të çadrës ku rrinë gratë, ndodhet ajo që quhet “infermieria”, ose më saktë vendi ku gratë dhe burrat marrin serumin ose shërbime të tjera mjekësore teksa shëndeti fillon përkeqësimin. Në një nga krevatet e kësaj çadre, me vështirësi shquan se femra që sapo ka mbaruar serumin është këngëtarja Elsa Lila. “U bënë 10 ditë që jam këtu dhe normal që jam dobësuar”, tregon ajo. Teksa e pyet për problemet shëndetësore që e kanë detyruar t’i drejtohet çadrës-spital, ajo shpjegon se ka pasur këto ditë një temperaturë të lartë, e cila e ka detyruar të zhvendoset nga krevati. “Temperatura më ka shkuar 40 dhe kjo po më mundon këto dy ditë”, tregon Elsa, e cila gjithsesi nuk harron të buzëqeshë teksa vështron nga duart ku shenjat e gjilpërave duken qartë. Erjon Veliaj gjendet i shtrirë përkrah saj dhe ndonëse me serumin në njërin krahë, mundohet të përqendrohet te libri që mban ndërkaq në krahun tjetër. Dhoma-spital nuk është një vend ku mund të qëndrosh gjatë, dhe pas pak minutash e gjen veten në rrugicën mes shtretërve ku situata paraqitet më normale. Teksa kalon përmes radhëve për të dalë nga kampi, sytë fokusohen te një poster mbi një krevat, ku shkruhet “babi, të dua shumë”. Më tutje ndodhet një kanarinë e mbyllur në një kafaz, të cilën një grevist e kishte marrë për t’i bërë shoqëri në kamp.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›