Ligji i mjedisit, amendime për kompetencat
Një projektligj i ri përcakton qartë detyrat e Ministrisë së Mjedisit, Agjencive dhe Inspektoratit të Mjedisit, strukturë që duhet të kryejë kontrolle, të gjobisë dhe vjelë gjobat. Dje, në një konferencë lidhur me përmirësimin e hapësirave ligjore në dobi të mjedisit, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, sqaroi se specialistët po përpiqen të modelojnë një draft, duke e përafruar atë sa më shumë me legjislacionin europian. “Ne kemi Agjencinë e Mjedisit, që është një institucion i cili duhet të jetë në nivelin e duhur profesional”, deklaroi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu.
Ndërkohë, ekspertja Naris Panariti u shpreh se detyrat e ministrisë janë të lidhura me hartimin e politikave, ndërsa të agjencisë me zbatimin e tyre. Shqipëria përballet me shumë probleme mjedisore, të cilat kanë një kosto të lartë ekonomike. Ajri edhe uji i ndotur janë burime sëmundjesh kronike, që kanë prekur një pjesë të madhe të popullsisë. Në Tiranë, përmbajtja e pluhurit të respirueshëm është shumë më e lartë se normat e lejuara, ndërkohë që dëme të mëdha janë konstatuar në pyje, lumenj dhe në bregdet. Gjatë dy dekadave të fundit, mjedisi ka pësuar dëmtime që do të duhen disa dhjetëvjeçarë të ripërtërihen. Biznesi dhe individë të ndryshëm kanë shkatërruar pasuritë natyrore dhe në shumicën e rasteve ata nuk kanë paguar asnjë gjobë. Kjo për faktin se strukturat shtetërore nuk kanë qenë të koordinuara. Sakaq, sipas këtij projektligji mendohet se lejet mjedisore do të jenë nën kompetencë të qeverisjes vendore.
#