E Diel, 1 Nëntor 2026

Omer Kaleshi: Kam pikturuar gjithnjë në vetmi

Piktori, i njësuar tashmë me ciklin e kokave, nuk ka pasur kurrë një modele. Askush nuk ka qenë i pranishëm në procesin e tij krijues. Edhe sot, në atelienë e tij, mbi bulevardin “Arago” në Paris, nuk ka ende një televizor. Gjithçka i vjen prej kujtesës

Me flokët e bardha që miqtë e tij ia krahasojnë me të Ajnshtajnit, Omer Kaleshi veçse dëgjon. Raportet e tij nuk janë të mira me fjalën. Ato pak histori i tregon në një shqipe gati fëmijërore. I pranishëm disa ditë në një koloni artistike të organizuar në Durrës, piktori me origjinë shqiptare që prej vitesh jeton në Francë, i takoi dje të promovonte një libër. “Fjala e ‘omerikëve’”, përgatitur për botim e përkthyer nga frëngjishtja nga miku i tij, Luan Rama, është një përmbledhje me poezi të disa poetëve me kombësi të ndryshme, frymëzuar nga piktura e tij. Libri i botuar nga “Globus R” është i ilustruar edhe me pikturat përkatëse. Omer Kaleshi, tashmë 80 vjeç, tregon për jetën, pikturën dhe nga gjërat që duhet të hiqte dorë.

Poetë nga e gjithë bota janë frymëzuar nga pikturat tuaja për të shkruar poezi, të cilat janë përmbledhur në një libër. çfarë ndjesish ju japin këto poezi?

Unë i kam lexuar këto poezi dhe jam kënaqur. Gjithçka nisi nga fakti që shkrimtari dhe poeti Jacques Lacarriere shkroi 25 poezi nisur nga pikturat e mia dhe atëherë menduam që t’i përmblidhnim në një libër poezitë që miq të mi nga Franca, Maqedonia, Turqia, Shqipëria e Kosova kishin shkruar, nisur nga pikturat e mia. Ata njohin historinë time, më kanë vizituar në atelie dhe unë kam parë te këto poezi jetën e pikturën time.

Pse ju pikturoni vetëm koka?

Kur një piktor i njohur francez, Edouard Pignon, erdhi në studion time, më pyeti: pse pikturoni koka të prera? Mua nuk më kanë interesuar asnjëherë kokat e prera, por njeriu. Gjithë jetën vetëm atë kam pikturuar. Dhe njeriu për mua janë detajet. Kur kam qenë i vogël, në Luftën e Dytë Botërore, në fshatin tonë ndodhnin shkëmbime zjarri. Një ditë thanë se fëmijët, gratë dhe burrat e vjetër duhet të shkonin të fshiheshin në një tjetër fshat. Të gjithë ishin futur nëpër gropa. Unë isha atje dhe pashë vetëm koka të njerëzve. Më kanë mbetur në mend ato koka në grupe. Për pak kohë i kisha harruar, por kur filloi lufta në ish-Jugosllavi mendova se duhej bërë diçka për këtë dramë ballkanike.

Cila është për ju drama e Ballkanit?

Ballkani ka qenë gjithnjë një dramë, një vend plot konflikte. Babai dhe nëna ime kur flisnim për një gjendje nuk thoshin që ka ndodhur në këtë apo atë vit, por në kohën e turqve, në kohën e serbëve, bullgarëve, italianëve.

Si vjen Shqipëria në kujtesën tuaj?

Shqipëria vuan po ashtu dramën e Ballkanit. Sigurisht që është një vend i afërt për mua, vendi i origjinës. Unë nuk mund të them se kush kanë qenë saktësisht të parët e mi që u shpërngulën, por ishin funksionarë të lartë myslimanë. Kam lindur në Srbirca të Maqedonisë, prejardhja e babës është nga Mati dhe ne kemi folur gjithnjë shqip në shtëpi. Gjyshja ime ka qenë maqedonase, por nëna ime mësoi shqip kur u martua. Pastaj unë flas edhe turqishten, sepse kam kryer Akademinë në Stamboll. Nuk e di nëse do isha ky piktor që jam sot pa të. Përveçse e njoha shumë mirë atë vend, pas një udhëtimi të gjatë pesëmujor në këmbë, ku jam njohur me dervishë, me çobanë, me filozofët e mëdhenj të këtij vendi. Nga Stambolli unë udhëtova së pari drejt Europës.

Ka shumë dervishë në pikturat tuaja. Për shkak të formimit tuaj fetar?

Dervishët i kam merak. Nuk kam ndonjë lidhje fetare, por babai që ishte hoxh i fshatit kishte një mik imam, me mjekër të gjatë. Ne ishim shumë fëmijë në familje dhe gëzoheshim kur ai vinte për vizitë e na sillte gështenja të ziera apo vezë. Më vonë, kur shkova në Teqen Haxhi, bektashi në Turqi, pashë një sallon të madh vetëm me piktura. Në islam, piktura dhe rakia është e ndaluar, por jo te dervishët. Ata më pëlqejnë shumë si figura dhe më pëlqen shumë edhe muzika e tyre. Te Zoti nuk shkohet vetëm me lutje, por edhe me këngë. Prandaj kam bërë një seri të dervishëve dhe të çobanëve që i hasa në udhëtimet e mia.

Pikturat tuaja janë reflektim i së shkuarës?

Po. Nuk kam pasur asnjëherë model në atelie. Edhe pse kam mbaruar Akademinë në Stamboll, nuk kam krijuar asnjë pikturë atje. Shkoja të punoja në shtëpi dhe profesorët më lejonin ta bëja këtë. Unë nuk kam bërë asnjë pikturë në prani të njerëzve.

Pse?

Eh pse! Edhe mua më vinte keq pse nuk mund të punoja si gjithë të tjerët. Punoja i vetëm. Një ditë mora një libër të Leonardo da Vinçit “Trattato di pittura”, ku ai shkruante: Nëse një piktor nuk ka njeri në atelie, ai është i tëri vetvetja, nëse ka një njeri është gjysmë, nëse ka dy njerëz, është çereku dhe nëse ka tre njerëz nuk ekziston më. Unë jam afro 80 vjeç sot, por nuk kam pasur angazhime të familjes. Nëse krijon një familje duhet të kujdesesh për ta. Edhe të jetuarit vetëm nuk është mirë, por njeriu duhet të zgjedhë.

Jeni i kënaqur me zgjedhjen që keni bërë?

Jam i kënaqur. Kur isha në Kosovë dhe bisedoja me miqtë, ata më thoshin se isha i martuar me pikturën. Unë jam i kënaqur se jam i zhveshur nga angazhimet e tjera dhe mund të krijoj çfarë e kur të dua. Jam i kënaqur kur e mbaroj pikturën, ua tregoj njerëzve dhe ata e pëlqejnë kur e shohin.

E kujtoni pikturën e parë?

Po. Kam filluar të pikturoj vonë, pasi kreva ushtrinë. Ndodhi kur shkova të shikoja në Shkup, në galerinë “Hamam”, atëherë vetëm për ikonat, ekspozitën e skulptorit anglez Henry Moore. Ai kishte edhe shumë grafika nga Lufta e Dytë Botërore ku dalloheshin gra e fëmijë që fshiheshin në tramvaje për t’i shpëtuar bombardimeve. Më pëlqeu ajo ekspozitë dhe aty nis piktura ime. Pasi shkova në Turqi me familjen, një vit pas mësimit të gjuhës u regjistrova në Akademinë e Arteve të Bukura.

I kurseni shumë ngjyrat, por përdorni shumë të kuqen dhe të zezën...

Blunë apo të bardhën thuajse nuk i kam përdorur asnjëherë. E kuqja dhe e zeza ka lidhje me një ngjarje të fëmijërisë sime. Kur isha i vogël, në fshat ra një zjarr i madh dhe u dogjën kasolle e bagëti. Të kuqen e kam marrë nga flakët, por edhe të zezën. Të nesërmen e zjarrit ne shkonim me shkopinj e përzienim zjarrin që në sipërfaqe dukej i zi, por në brendësi kishte flakë.

Ju nuk keni pasur asnjëherë modele, por keni bërë edhe nudo...

Pak a shumë janë nudo. Njëherë mua më keqkuptuan. Unë thashë se nudot nuk më pëlqejnë dhe zonja me të cilën po bashkëbisedoja kujtoi të kundërtën: se nuk më pëlqente trupi femëror. Në fakt mua nuk më pëlqenin nudot, ashtu siç ishin bërë deri atëherë. Unë doja të ndalesha në detaje edhe te nudoja. Por fjalët morën dhenë se Omeri nuk i pëlqen nudot.

Pse keni zgjedhur Francën për të jetuar?

Franca është qendra e artistëve. Ne e kemi pasur ëndërr ta vizitonim, ta shihnim e të jetonim. Kur njeriu është vetëm dhe i ri nuk mendon. Kur shkova në Francë nuk dija as frëngjisht, nuk kisha asnjë mik. Në fillim ka qenë e vështirë. Vitin e parë fshija xhama në një magazinë të madhe në Shanz Elize, pastaj shkoja në atelie të punoja.

Në pikturat tuaja nuk takohet fare as peizazh dhe as arkitekturë franceze. Nuk ju ka grishur asnjëherë?

Asnjëherë. Gjithë piktura ime s’ka lidhje me Parisin përveç ciklit të pemëve të prera në bulevardin “Arago” ku gjendet shtëpia ime. Mund të kisha bërë ndonjë lypsar, por arkitektura dhe peizazhet nuk më kanë interesuar asnjëherë.

Prej më shumë se një jave ndodheni në Shqipëri. Si jeni ndier?

Unë erdha i ftuar në një koloni artistike në Durrës ku ia kaluam shumë mirë. Rastisi që edhe libri të mbaronte në të njëjtën kohë dhe të vinim ta promovonim me Luan Ramën, miku im më i mirë i cili më ka ndihmuar të realizoj çdo ekspozitë këtu apo botim. Njihemi prej kohësh dhe ai ka fat që më njeh se e do shumë pikturën dhe unë fat që e njoh, sepse punojmë bashkë. Unë nuk njoh asgjë teknike, as televizor nuk kam. Kështu, pasi ai më tha, unë pranova se duhet të vija të bëja diçka edhe në Shqipëri.

Po punoni për një cikël të ri?

Po, ciklin e kokës dhe të këmbës, por është shumë e vështirë t’i sjell për ekspozim.

çfarë simbolizojnë?

Natyrshëm koka është një kontakt me qiellin, kurse këmba me tokën.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›