Berisha: Nuk do diskutojmë kurrë vendimet e gjykatave, tryeza vetëm për çështjet politike

UPDATE- Kryeministri Berisha sqaron edhe njëherë pozicionin e palëkundur të mazhorancës ndaj kërkesave të opozitës. Kreu i qeverisë u shpreh përsëri sot, se hapja e kutive nuk është çështje e mazhorancës dhe as e politikës në tërësi, por vetëm e gjykatave, të cilat janë shprehur me një vendim të formës së prerë kohë më parë. Në kuadër të tryezës së dialogut, të iniciuar nga Presidenti Topi, shefi i mazhorancës rikonfirmoi se është i hapur për çdo kompromis, por që kurrsesi nuk do të ketë asnjë vendim që shkon në kundërshtim me ligjet.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha theksoi se shumica është gati të ngrejë komision hetimor parlamentar që këtë të enjte, por nuk shkel kurrë mbi vendime gjykatash.
“Unë kam vullnet të ulem me opozitën dhe që mazhoranca të japë kontribut madhor në zgjidhjen e krizës. Por nuk mund të diskutoj vendimet e gjykatave. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë palët tu drejtohen gjykatave. Por vendimi i tyre, sapo jepet nuk është më problem mes palësh, por është i gjykatave. Unë nuk i kam kërkuar asnjë herë askurrkujt, të trajtoj problemet tona me gjykatën. Ju kini dëgjuar opozitën të citoj 17 vendime të gjykatës kundër qeverisë, nuk i kemi kërkuar asnjë herë opozitës të bëjë diçka kundër vendimeve që ka dhënë gjykata. Kjo nuk mund të ndodhë. Gjykatat nuk mund t’i bëjnë degë e ekzekutivit”, u shpreh kreu i qeverisë, Berisha
Berisha i ka dhënë të gjitha garancitë kreut të shtetit për të gjetur zgjidhjen e situatës politike.
“Tryeza përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej eksplorimin e mundësive për gjetjen e konvergjencave midis palëve. Kurse unë dua tu them ju dhe mbarë shqiptarëve, shpreha vullnetin tim të ndershëm, të sinqertë që të ulem me opozitën dhe të trajtoj një për një të gjithë listën e probleme që opozita ka me qeverinë, për qeverinë, apo për PD-në, në frymë më të hapur më konstruktive”, u shpreh Berisha.
Ai dhe një herë u shpreh se si ka kërkuar, kryetarit të PS-së listin e të gjitha problemeve që gjykon se kanë të bëjnë me mazhorancën, por sipas Berishës, mazhoranca nuk mund të zgjidh problemet e opozitës me gjykatat.
“E garantova se jemi gati që nesër të ngremë komisionin hetimor parlamentare dhe opozita të ketë shumicën, për të hetuar të gjitha problemet që do listohen. Por ama të nderuar deputetë, ky vend ka një histori 19 vejçare zhvillimi, dhe kjo histori jashtëzakonisht e rëndësishme të mbahet parasysh duke i garantuar opozitës se jam i hapur të shqyrtojë çdo kërkesë midis nesh. Kurrë ndonjë herë nuk e kam konsideruar dhe nuk do e konsideroj çështje bilaterale, çështjen e vendimeve të gjyqësorit”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq, në vijim të fjalës para deputetëve demokratë, Berisha iu referua edhe vizitës në Itali dhe takimin e zhvilluar atje me homologun e tij, Silvio Berluskoni.
Berisha tha se ka marrë garanci të plota për inkurajimin në Shqipëri, të investimeve italiane. “Kryeministri italian u angazhua të inkurajojë investitorët italianë në vendin tonë. Ai inkurjoi agjencitë turistike për të organizuar ture drejt vendeve të mrekullueshme në Shqipëri”, u shpreh ai.
Sipas tij, investitorët e huaj, e në veçanti ata italianë, kanë më shumë besim të investojnë në vendin tonë.
Kreu i qeverisë sqaroi në mbledhjen e grupit të PD, edhe deklaratën e keqinterpretuar të homologut italian.
Berisha tha se Berlusconi bëri një kompliment ndaj tre gazetareve shqiptare, e cila ngjalli keqkuptim.
“Komplimenti padrejtësisht ngjalli një keqkuptim. Nëse Berlusconi bëri një kompliment në drejtim të treja gazetareve që ishin shumë të pashme, nuk duhet te keqkuptohet. Kjo ishte një shaka e tij”, u shpreh kryeministri Berisha.