E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazh i Presidentit Topi drejtuar Kuvendit të Shqipërisë në sesionin e ri parlamentar.

17 shtator 2007

E nderuara Kryetare e Kuvendit,
I nderuar zoti Kryeministër,
Zotërinj, anëtarë të qeverisë
Shkëlqesi ambasadorë e përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar deputetë,

Nuk ka kaluar shumë kohë nga takimi ynë i fundit, kur unë bëra betimin para këtij Parlamenti, për t’u shkëputur nga rradhët tuaja si ligjvënës e për të nisur një mision tjetër, atë të kreut të shtetit, i cili gjithashtu do të na mbajë në kontakt për të çuar përpara reformat e domosdoshme për vendin.

Vitin e kaluar parlamentar, ky Kuvend ka miratuar ligje që kanë ndikuar drejtpërdrejt në situatën politike, ekonomike, sociale e kulturore të shoqërisë shqiptare e që kanë ndikuar pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare e politikën e jashtme të Shqipërisë.

Roli i Parlamentit në thellimin e reformave mbetet i padiskutueshëm, jo vetëm në funksion të stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit, por edhe në funksion të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian e të NATO-s, pjesë e të cilave synojmë të bëhemi, duke patur parasysh Samitin e zgjerimit të Aleancës në Bukuresht, prillin e vitit të ardhshëm, nga i cili shpresojmë të marrim ftesën për antarësim.

Për të realizuar këto detyrime nevojitet një thellim i debatit parlamentar e sidomos një kohezion për çështjet më të domosdoshme madhore me interes kombëtar mes pozitës dhe opozitës. Ky proces reformash e ka të domosdoshëm mendimin opozitar i cili nga ana tjetër, duhet të jetë konstruktiv në funksion të rritjes së cilësisë së jetës parlamentare dhe projektimit në interes të mbarë shoqërisë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kemi përpara një sërë reformash të rëndësishme, të cilat do kërkojnë angazhimin e përkushtimin e Presidentit, por edhe të të gjithë faktorëve politikë në Parlament, siç është për shembull reforma ne drejtësi. Ne jemi të motivuar të mos humbim kohë. Së bashku do të ecim paralelisht me disa reforma, që kërkojnë vullnet, angazhim dhe profesionalizëm.

Unë sot paradite iniciova një tryezë me partitë politike parlamentare për nisjen e reformës në drejtësi. Me kënaqësi mund të them se konstatova një vullnet të qartë të të gjithë aktorëve të politikës për domosdoshmërinë e kësaj reforme. Dhe produkti i parë u projektua që sot, me rënien dakort të të gjitha palëve për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do të asistohet nga një komision ekspertësh për reformën në drejtësi. Tani i takon Parlamentit të zyrtarizojë këtë komision dhe më pas, përveç ekspertëve vendas e të huaj, puna e të cilëve nuk duhet vënë në dyshim, i takon aktorëve politikë të dëshmojnë kontributin e tyre efiçent në këtë reformë. Roli i Parlamentit mbetet i pazëvendësueshëm në përfundimin me sukses të këtij procesi, ndërsa Presidenti do jetë gjithnjë i gatshëm të realizojë si katalizator kohezionin e forcave politike në Kuvend.

Shumë i rëndësishëm mbetet funksionimi i komunikimit jo vetëm politik, por edhe ndërinstitucional. Një mesazh i tillë u dha pak ditë më parë në tryezën për të ardhmen e kryeqytetit ku Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës vërtetuan publikisht se vullneti i përbashkët në drejtimin e duhur mund ta kthejë Tiranën, por edhe gjithë Shqipërinë në një terren debati politik e profesional dhe në funksion të të ardhmes së të gjithë shqiptarëve.
Në këtë linjë duhen projektuar edhe reformat e tjera, të cilat na presin. Ndër më të parat do jetë edhe reforma zgjedhore, të cilën besoj do ta nisni së shpejti me riaktivizimin e komisionit përkatës. Krahas saj ka edhe një sërë çështjesh të tjera siç është çështja e ish-të përndjekurve politikë, por dhe kompletimi ligjor i reformës së pronësisë. Ato duhen parë si procese që kërkojnë vëmendje dhe ndjeshmëri të veçantë për shkak të aspektit delikat social që mbartin.

Reformat sociale, pra ato që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e jetesës së qytetarëve duhet të depolitizohen duke u ndërtuar e debatuar vetëm në funksion e në interes të qytetarëve. Kontaktet me qytetarët dhe grupet e interesit janë të domosdoshme në mënyrë që Parlamenti të nxjerrë produkte, jo vetëm korrekte nga ana ligjore, por edhe funksionale e përmbushëse të nevojave të qytetarëve.

Kështu, akoma më shumë punë duhet në gjetjen e zgjidhjeve afatshkurtra për problemet me të cilat hasen qytetarët: energjinë elektrike, ujin e pijshëm, rritjen e çmimeve, korrupsionin në administratë e shëndetësi, të gjitha me përqëndrim në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Një çështje tejet e rëndësishme që i kapërcen kufijtë tanë është ajo e Kosovës. Ajo që vlen të vlerësohet për vendin tonë është qëndrimi i unifikuar i të gjithë aktorëve në mbështetje të Planit Ahtisari dhe të një Kosove të pavarur. Vlen për t’u përshëndetur roli i çmuar i partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, Këshillit të Sigurimit të OKB-së e Grupit të Kontaktit.

Mendoj se ka ardhur koha që deklarata që keni miratuar në maj të këtij viti në mbështetje të këtyre qëndrimeve të shndërrohet në një resolute, e cila të projektojë vullnetin e të gjitha forcave në Shqipëri. Çështja e Kosovës kërkon stabilitet, qëndrim të unifikuar e pa ekuivoke dhe jam i sigurt se të gjithë e ndani këtë mendim.

Në pritje të zgjidhjes realiste dhe të qëndrueshme të statusit të Kosovës, pra pavarësisë së saj, bazuar në Planin Ahtisari, gjej tek udhëheqësit kosovarë dhe tek populli i Kosovës një ndjenjë të lartë përgjegjësie, pjekurie dhe vullneti jo vetëm për të ndërtuar shtetin e tyre të ardhshëm, por edhe për t’i dhënë atij vendin që meriton në rajon e në Europë, e prandaj i përgëzoj nga kjo foltore e nderuar!

Kosova e meriton plotësisht mëvetësinë e saj e këtu gjej rastin të falenderoj edhe institucionet e Bashkimit Europian dhe NATO-s për mesazhet e tyre të qarta, të cilat garantojnë se në Kosovë nuk do të ketë më kurrë ushtarë të Serbisë, si dhe angazhimin e shprehur për ruajtjen e një situate të qetë në prag të vendimit për statusin politik të Kosovës, duke e trajtuar këtë çështje jo vetëm si axhendë të rëndësishme europiane, por edhe si një kusht për Serbinë në rrugën e saj drejt integrimit në Europë.

Shqipëria është e vendosur të mbështesë përpjekjet e popullit të Kosovës në këtë proces të vështirë. Në këtë sipërmarrje, populli i Kosovës nuk është i vetëm por i mbështetur pa mëdyshje si nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, ashtu edhe nga partnerët e organizatat ndërkombëtare në realizimin e aspiratave euroatlantike të tij e të popujve të tjerë të rajonit tonë.

Të nderuar deputetë,

Duke ju falenderuar për vëmendjen ju uroj punë të mbarë ne këtë sesion të ri parlamentar dhe bashkëpunim të frytshëm gjatë gjithë ecurisë së tij në përmbushjen e detyrimit kushtetues, ligjor, kombëtar e qytetar ne shërbim të popullit shqiptar!

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›